Thaçi: BE-ja pa strategji për integrim të Ballkanit Perëndimor

Prishtinë | 20 Shk 2017 | 12:13 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kosova është shembull i ndërtimit të paqes dhe stabilitetit në rajon, andaj kërkojmë anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare. BE-së i mungon strategjia për integrim të Ballkanit Perëndimor, por se rruga drejt BE-së nuk ka alternativë.

Kështu tha presidenti Thaçi në Samitin e dyditorë të komisioneve parlamentare për politikë të jashtme të shteteve të Evropës, në të cilin po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe përfaqësues të Parlamentit Evropian, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se është e vërtetë që sot ka shumë skepticizëm në projektin e Bashkimit Evropian. Sipas tij, nganjëherë me të drejtë, pasi që BE-ja rrezikon të kthehet në një institucion burokratik që është i larguar nga qytetari.

“Ndonjëherë lihet përshtypja se në BE nuk ka lidership dhe vizion për zgjerim në Ballkanin Perëndimor. Por, askush nuk mund ta kontestojë që projekti i BE-së ka arritur me sukses misionin e vet themeltar, që të ruajë paqen në vendet e veta anëtare. Prandaj, edhe Kosova, por edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor synojmë anëtarësimin në BE dhe në NATO. Këto do të jenë themelet e paqes dhe të sigurisë në rajonin tonë”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka folur edhe bashkëpunimin politik dhe ekonomik ndërmjet shteteve të rajonit dhe me atë të Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se nuk mund të tejkalohen barrierat politike, nuk mund të ketë integrim dhe bashkëpunim të mirëfilltë nëse e shikojmë njëri-tjetrin si kërcënim dhe si armiq.

“Nuk mund të ndërtojmë të ardhme më të mirë, në paqe e në stabilitet nëse vazhdojmë të shohim njëri-tjetrin si kundërshtar. Është koha që të ndërtojmë narrativë tjetër, të përdorim fjalor tjetër për të përshkruar njëri-tjetrin, duke parë te njëri-tjetri një fqinj, një bashkëpunëtor, një bashkëqytetar”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Thaçi ka thënë se ndihet krenar që përfaqëson popullin më proevropian në botë. Ai ka thënë se sivjet Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në UNESCO.

Thaçi ka thënë se për fat të keq Rusia ende vë veto për pavarësinë e Kosovës, ndërsa ka shtuar se nuk është kundër marrëdhënieve të mira Rusi-Serbi dhe ka ftuar Rusinë që ta njoh Kosovën e pavarur.

Ai ka thënë se ndihen të vlerësuar nga ana e BE-së sa i përket luftës kundër korrupsionit por se janë të vetëdijshëm që duhet bërë ende.

Ndërsa se shpreson që Kuvendi së shpejti do ta ratifikojë demarkacionin dhe se kanë marr sinjale se pas kësaj edhe BE-ja do të ndërmarr hapa drejt liberalizimit të vizave për Kosovën.

Presidenti ka thënë që presin që Serbia të mos bëhet pengesë në procese të tilla. Ai ka ftuar edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë.

Presidenti ka thënë se një rol të rëndësishëm në ndryshimin e opinioneve dhe qëndrimeve në shtetet e rajonit dhe të kontinentit kanë luajtur edhe parlamentarët, veçanërisht Komisionet për Politikë të Jashtme.

Sipas tij, kanë qenë parlamentarët që kanë thyer akullin e moskomunikimit zyrtar në mes Kosovës dhe shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën

“Pra, ju keni forcën për të ndryshuar diskursin, qëndrimet, vendimet politike me ndikim në tërë opinionin publik vendor. Forumet si ky sot janë momente kur shkëmbejmë informacion dhe politika sesi të integrojmë më mirë rajonin dhe ta bëjmë pjesë të organizatave ndërkombëtare që do të promovojnë paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”, ka shtuar në fund presidenti Thaçi.

Të ngjashme