Thaçi: Jemi të pa-kompromis në luftimin e terrorizmit

Prishtinë | 31 Kor 2017 | 12:46 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim kongresmenin Devin Nunes, kryesues i Komitetit të Inteligjencës në Kongresin amerikan dhe George Pappas, këshilltar i lartë në Komitetin e Inteligjencës, të shoqëruar nga Ambasadori Amerikan Delawie.

Presidenti Thaçi ka falënderuar kongresmenin Nunes për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën.

“Jemi partnerë dhe miq, kemi marrëdhënie të veçantë, sepse ndajmë dhe angazhohemi për të njëjtat vlera”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi gjithashtu u shpreh se Kosova në vetëm një dekadë si shtet ka arritur suksese të mëdha në ndërtimin e institucioneve demokratike, ekonomisë dhe sundimit të ligjit.

“Nënshkrimi i MSA-së dhe marrja e statusit të vendit kandidat për MCC janë konfirmim i këtyre të arriturave të Kosovës”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi më tej tha se Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe konfirmoi përkushtimin e Kosovës për paqe dhe stabilitet.

“Jemi të pa-kompromis në luftimin e radikalizmit dhe terrorizmit”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Kongresmeni Nunes u shpreh se Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin e Evropës Juglindore.

Presidenti Thaçi në fund theksoi se prezenca amerikane në Ballkan është qenësore për paqen, zhvillimin dhe integrimin e rajonit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme