Thaçi: Kërcënimi është sajuar nga vetë Kurti, në prag të vendimit të Kushtetueses për dekretin

Prishtinë | 21 Maj 2020 | 21:26 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është konsultuar me organet e sigurisë për mbrojtjen e Kosovës rreth pretendimeve të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se është kërcënuar nga një organizatë e panjohur.

Thaçi në Rubikon ka thënë se nga të dhënat zyrtare të shtetit ka mësuar se nuk ekziston një organizatë e ashtuquajtur ‘Garda Vullnetare Shqiptare’.

“Nuk jam në garë si President me asnjë lider politik, as me Kryeministër. Është nxitim në formulimin e këtij postimit, unë jam konsultuar me organet e sigurisë për mbrojtjen e Kosovës, kjo organizatë është fiktive, nuk ekziston. Nga ajo që unë kam pranuar të dhëna zyrtare nga shteti i Kosovës.”, tha Thaçi.

Tutje, Presidenti ka shtuar se dyshon që e gjithë kjo është sajuar nga vetë Kurti, pikërisht në prag të vendimit të Kushtetueses për dekretin.

“Kjo është krijuar nga Kurti dhe bashkëpartiakët e tij. Ai e di që unë e di që është e sajuar”, tha Thaçi në fund.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti dje lidhur me këtë kërcënim që po pretendon se i është bërë ka thënë se nuk frikësohet.

Sidoqoftë, nga policia dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se kanë filluar hetimet për organizatën ‘Garda Vullnetare Shqiptare’, për të cilën nuk dihet asgjë.

Të ngjashme