Thaçi: Kosova është e qartë se të ardhmen e sheh në NATO dhe BE

Prishtinë | 27 Mar 2019 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi ka takuar sot deputetin e Parlamentit të Kanadasë, Borys Wrzesnewskyj, njëherësh kryesues i Asociacionit Parlamentar të NATO-s në Kanada, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e Kosovës dhe Kanadasë, veçanërisht në sektorin e sigurisë.

Thaçi u shpreh i kënaqur që Kosova dhe Kanadaja këtë vit shënojnë 10 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve derisa e falënderoi deputetin Wrzesnewskyj për përkrahjen e vazhdueshme që Kanadaja i ka dhënë Kosovës.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen që na keni dhënë në të gjitha fazat. Tani po punojmë për forcimin e paqes dhe për stabilitetin e qëndrueshëm”.

“Është njësoj e rëndësishme të përkrahet Kosova edhe tani, veçanërisht në përpjekjet për të arritur marrëveshjen e përhershme paqësore me Serbinë dhe në transformimin e FSK-së në forcë të gatshme për t’u bërë anëtare e NATO-s”.

Deputeti Wrzesnewskyj u shpreh se e njeh mirë rrugën e vështirë dhe tragjike të Kosovës dhe e kupton rëndësinë e sigurisë së përgjithshme.

“Është inkurajues zhvillimi i deritashëm i Kosovës në përgjithësi dhe zhvillimi i FSK-së në veçanti”.

I pari i shtetit tha se “Kosova është e qartë se të ardhmen e sheh në NATO dhe BE”.

Të ngjashme