Thaçi: Liberalizimi të ndodhë pa vonesa, krijimi i ushtrisë bëhet gradualisht

Prishtinë | 06 Tet 2018 | 17:33 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e sotme për media ka theksuar se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë sa më shpejt, pasi sipas tij, ky proces është stërzgjatur dhe Kosova i ka plotësuar kriteret për një gjë të tillë.

“Procesi i liberalizimit të vizave është i domosdoshëm dhe duhet të ndodhë tani dhe pa asnjë vonesë tjetër. Në të kundërtën, ky proces i stërzgjatur e humb kuptimin e vet”.

Presidenti paraqiti edhe çështjen e transformimit të trupave të forcës së Kosovës në ushtri.

“Sapo përfundova takimin me përfaqësuesin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, që biseduam për procesin e transformimi të ushtrisë së Kosovës. Theksova se Kosova ka përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme duke përfshirë trajnim të gjatë vetëdijësimi me këtë proces. Jemi në hapat e fundit të përfundimit të këtij procesi transformimi dhe tani këto hapa do bëhet në mënyrë graduale, të koordinuar, në mënyrë të plotë me NATO-n, me ShBA-në dhe të gjithë partnerët tanë strategjikë”.

Ndërsa përmendi edhe fazën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ftoi partitë politike që të bashkohen për ta çuar këtë proces përpara.

“Kosova, institucionet e saj, kanë implementuar në tërësi të gjitha kriteretet e veta demokratike, qoftë sa i përket legjislacionit, qoftë reformave në ekonomi apo në politikë. Është e domosdodshme që edhe fazën tjetër të angazhimeve që i kemi të jemi të bashkuar në procesin e dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Theksoj se ftoj të gjitha partitë politike kosovare të pozitës e opozitës të bashkohen rreth një platforme, një qëllimi, të miratojnë një platformë dhe të marrin pjesë të gjithë pa dallim në këtë proces. Interesi i përbashkët i Kosovës mbrohet dhe avancohet vetëm me pjesëmarrje të përgjithshme, konstruktive në procesin e dialogut në Bruksel”, ka thënë Presidenti.

“Marrëveshja paqësore mes Kosovës dhe Serbisë, vendit tonë, Kosovës, i hap rrugë të sigurt në BE, NATO dhe OKB.

I pyetur për deklaratat e kryeministrit Ramush Haradinaj dje në një akademi përkujtimore se kufijtë do t’i ruajnë edhe nga Presidenti i Shtetit, Thaçi tha se dallon paraqitja në akademi nga përfaqësimi i Kosovës.

“Ajo që duhet të bëjmë është se kjo fazë përpos patriotizmit të paraqitur në akademi përkujtimore kërkon mençuri, shkathtësi, largpamësi dhe përgjegjësi shtetërore. Paraqitja në akademi dallon nga përfaqësimi i Kosovës në tavolinë përballë Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Të ngjashme