Thaçi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë, e vështirë

Prishtinë | 23 Pri 2018 | 19:06 | Nga

Kosova dhe Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën sepse Bashkimi Evropian nuk do të pranojë shtete me probleme. Kështu ka thënë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një ligjërate që ka mbajtur të hënën në Hagë.

Thaçi po qëndron në Holandë me ftesë të institutit holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”.

“Si Kosova ashtu edhe Serbia duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të dy shtetet e dimë se duhet ta njohim njëra-tjetrën. BE-ja nuk do të na pranojë me probleme. Ne kemi nevojë për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. E di se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të dyja palët dhe mbi të gjitha për Kosovën. Por, jam i bindur se dialogu dhe marrëveshja janë e vetmja rrugë përpara”, ka thënë Thaçi sipas një komunikate të dërguar nga zyra e tij.

Duke folur për Gjykatën Speciale, e cila ka selinë në Hagë ku presidenti ka mbajtur ligjëratën, Thaçi ka thënë Kosova do ta respektojë drejtësinë ndërkombëtare sepse nuk ka asgjë për të fshehur.

“Ne jemi krenar me luftën tonë për liri dhe nuk kemi asgjë për të fshehur apo për t’u frikësuar nga e vërteta. Askush asnjëherë nuk u përpoq të ikte apo të fshihej nga drejtësia – krahasuar me shtetet e tjera në rajon”, ka shtuar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme