Thaçi: Mesazhet e Beogradit se ‘duam kompromis por s’e njohim Kosovën’, janë provokime

Prishtinë | 11 Dhj 2019 | 16:56 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditës së sotme, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë dhënë gazetës greke “Kathimerini”, ka thënë se Serbia është e gatshme të negociojë një zgjidhje kompromisi me Kosovën, por “nëse dikush mendon të vijë në Beograd dhe të na thotë ta njohim Kosovën – kjo nuk do të ndodhë”.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, i cili thotë se kjo deklaratë është provokim dhe se kompromisi është bërë me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Mesazhet nga Beogradi se duhet gjetur kompromis pa njohjen e Republikës së Kosovës janë provokime. Pavarësia e Kosovës është kompromis. Dialogu është i mundshëm vetëm mbi një parim: dy vendet të njohin njëra-tjetrën si fqinj të barabartë, dhe të ecim tutje drejt familjes euro-atlantike”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

I pyetur rreth skenarit për shkëmbimin e territoreve me Kosovën, Vuçiqi në këtë intervistë kujtoi se Serbia gjithmonë kishte kërkuar një kompromis dhe nuk dëshiron të imponojë një zgjidhje që do të ishte në interes të vetëm njërës palë.

“Ne jemi të gatshëm dhe të hapur për të negociuar çdo zgjidhje kompromisi. Disa përmendin modele të tjera, por nuk na ofrojnë asgjë specifike. Nëse dikush mendon se ata do të vijnë në Beograd dhe do të na thonë ta njohim Kosovën si një vend të pavarur, kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiqi, ndërsa falënderoi Greqinë që nuk e njohu pavarësinë e Kosovës dhe tha se ishte “një vend që mbron ligjin ndërkombëtar, me gjithë presionet që i janë ekspozuar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme