Thaçi: Mirënjohje për përkrahjen e Turqisë, në kohë të vështira dhe të mira

Prishtinë | 29 Dhj 2016 | 21:29 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në kuadër të vizitës së tij zyrtare Ankara.

Në takim është konfirmuar edhe një herë se Kosova dhe Turqia kanë bashkëpunim strategjik dhe se të dy shtetet synojnë të thellojnë edhe më tepër këtë bashkëpunim.

Presidenti Thaçi është pritur me nderimet më të larta shtetërore në Pallatin Presidencial në Ankara. Së bashku me presidentin Erdoğan kanë nderuar trupat ushtarake para fillimit të takimit.

Në takimin mes dy delegacioneve, presidenti Erdoğan i ka uruar mirëseardhje presidentit Thaçi dhe ka shprehur kënaqësinë që “Turqia gjithmonë ka përkrahur Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë”.

Presidenti Erdoğan informoi delegacionin për tentim grusht-shtetin e 15 korrikut të këtij viti dhe përpjekjet e Turqisë për të parandaluar çdo formë të terrorizmit.

Gjithashtu, presidenti Erdoğan përmendi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe u shpreh se “inkurajojmë bizneset turke që të investojnë në Kosovë”.

Presidenti Thaçi konfirmoi se Kosova ka dënuar përpjekjen për marrjen me dhunë të pushtetit në Turqi dhe u theksoi se “tanket dhe dhuna nuk mund të shkelin vullnetin e popullit, verdiktin e popullit të shprehur në zgjedhje”.

Kreu i vendit tha se Kosova i është mirënjohëse Turqisë “që i është gjindur Kosovës pranë në kohë të vështira, por edhe në kohë të mira” dhe se tani po ndihmon në sigurimin e njohjeve për shtetin e Kosovës si dhe për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.

Kosova dhe Turqia bashkëpunojnë mirë edhe në fushën e sigurisë, për të luftuar së bashku kërcënimet nga ekstremizmi dhe radikalizmi.
Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova “ndjek nga afër zhvillimet rreth lëvizjes “Gylen””, duke shtuar se “bashkëpunimi ynë strategjik nuk do të preket”.

Duke u shprehur në favor të thellimit të bashkëpunimit në të gjitha sferat, presidenti Thaçi ftoi që ky bashkëpunim të rritet veçanërisht në ekonomi.

Pas takimit, të dy presidentët u janë drejtuar medieve.

Presidenti Erdoğan para gazetarëve theksoi se “Turqia do të vazhdojë të përkrahë shtetin e Kosovës” dhe shtoi se në takimin “me mikun Thaçi u trajtuan të gjitha çështjet”.

Presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës për përkrahjen e Turqisë dhe shprehu solidaritetin e Kosovës me pësimet e Turqisë nga sulmet terroriste.

“Terroristët janë të njëjtë, në Ankara, në Prishtinë, në Bruksel, në Berlin, në New York apo Washington”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova mbetet e përkushtuar që “pa kompromis të luftojë çdo radikalizëm dhe ekstremizëm”.

“Luftën kundër ekstremizmit, radikalizmit e terrorizmit e fitojmë vetëm duke punuar së bashku,” ka përfunduar Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme