Thaçi: Në Francë nuk do të ketë dialog Kosovë-Serbi

Prishtinë | 26 Tet 2018 | 10:41 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mohuar raportimet për një mundësi të takimit më presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të negociatave për normalizim të raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Është një nderë dhe kënaqësi e veçantë që shteti i Kosovës është i ftuar në Konferencën Ndërkombëtare të Paqes me rastin e 100 vjetorit të luftës së parë botërore në një ceremoni të nivelit më të lartë, ku do të marrin pjesë liderët botëror, dhe natyrisht se Kosova do të marrë pjesë në nivel të barabartë sikur të tjerët. Është një mundësi shumë e mirë e promovimit të shtetit të Kosovës edhe prej vendeve dhe liderëve që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Prandaj, kjo mundësi duhet të shfrytëzohet dhe do të shfrytëzohet maksimalisht. Ndërsa, sa i përket temave tjera, Kosova do të marrë pjesë me delegacion në çdo ceremoni ku jemi të ftuar, me mesazhet më të mira të paqes, mirëkuptimit, të pajtimit, të perspektivës së Kosovës për NATO dhe Bashkim Evropian. Atje nuk do të ketë dialog Kosovë-Serbi, por mundësi e afirmimit të shtetit të Kosovës,” është shprehur Thaçi para gazetarëve, raporton EkonomiaOnline.

Thaçi ka folur dhe për pjesëmarrjen e Serbisë në këtë konferencë.

“Pjesëmarrja edhe e Presidentit të Serbisë është nën autoritetin e Presidentit Francez dhe jo të Kosovës, ndoshta edhe Serbia mund të ketë vërejtje në këtë drejtim, por është punë e tyre,” është shprehur Presidenti.

I pari i vendit ka kërkuar edhe një herë nga spektri politik të tejkalojnë këtë ngërç politik dhe institucional, raporton EO.

“Sa i përket dialogut vazhdoj të besoj se Kuvendit duhet t’i kryejë punët e veta, duhet të tejkalohet, dhe ftoj spektrin politik të Kosovës pa dallim, ata që janë në qeveri, ata që janë në opozitë, ta tejkalojnë këtë ngërç politik dhe institucional, dhe t’i hapin perspektivë vendit. Presidenti do t’i kryejë punët e veta, ndërsa ftoj spektrin politik t’i marrë përgjegjësitë e veta që i takojnë, përgjegjësitë shtetërore, që të afrohen sa ma tepër, të kenë një platformë të përbashkët, të kenë një agjendë të përbashkët shtetërore,” ka deklaruar ai.

 

Të ngjashme