Thaçi në Jarinjë: Policët dhe doganierët po bëjnë punë të shkëlqyer

Jarinjë | 31 Gus 2016 | 15:42 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vizituar pikën kufitare në Jarinjë të pjesës veriore të Kosovës.

Për normalitetin e krijuar në veriun e Kosovës dhe për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, presidenti Thaçi tha se janë rezultat i dialogut të zhvilluar në Bruksel.

“Jemi këtu për t’i inkurajuar të gjithë policët dhe njerëzit e Kosovës të cilët po bëjnë një punë të shkëlqyer me angazhimet e tyre të përditshme të Doganës, por edhe të rendit dhe sigurisë. Uroj dhe përgëzoj të gjithë policët dhe doganierët që janë duke punuar bashkërisht shqiptar, serb dhe të tjerë, sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane”.

“I gjithë normaliteti dhe funksionimi normal është rezultat i dialogut që kemi zhvilluar në Bruksel për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave…”

“Më vjen mirë që shohë një situatë normale, një situatë të mirë të komunikimit dhe qarkullimit të njerëzve, ndërsa si institucione të Kosovës na mbetet që të mbështesim të gjitha ekipet profesionale këtu”, ka thënë Thaçi.

Gjatë vizitës në pikën kufitare në Jarinjë, presidenti Thaçi ishte i shoqëruar nga drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, si dhe drejtori i Doganë së Kosovës, Lulëzim Rafuna, të cilët i përgëzoi për angazhimin e gjithë stafit të tyre në këtë pikë doganore të Kosovës me Serbinë, si dhe në pikat e tjera anekënd territorit të Kosovës.

Shpend Maxhuni tha se Policia e Kosovës ka një detyrë të rëndësishme në koordinim të ngushtë me agjencitë tjera në kuadër të menaxhimit të integruar të kufirit (IBM).

“Kemi një situatë stabile dhe të qetë e arritur me realizimin e veprimeve të koordinuara brenda tri institucioneve të vendit. Ne do të vazhdojmë t’i përmbushim të gjitha objektivat e Qeverisë së Kosovës, duke qenë të gatshëm për t’u përballur me të gjitha kërkesat dhe nevojat që mund të parashihen për Policinë e Kosovës në kuadër të menaxhimit të integruar të kufirit”, ka thënë Maxhuni.

Kurse, drejtori i Doganës, Rafuna, tha se e informoi presidentin Thaçi për gjithë progresin që është bërë, për të gjitha procedurat që i zbatojnë në këtë pikëkalim doganor në Jarinjë.

“Prezenca jonë këtu sipas marrëveshjeve të Brukselit ka ndikuar me rritjen e të hyrave doganore, ta luftojmë ekonominë joformale, kemi rënie të kontrabandës, luftim të korrupsionit, kemi krijuar një ambient të sigurt dhe të motivuar për të gjithë investitorët e huaj që të vijnë të investojnë në vendin tonë”.

“Po ashtu, informova presidentin për një bashkëpunim të shkëlqyeshëm që kemi me Policinë e Kosovës, me të gjitha institucionet në këtë vendkalim kufitar. Sipas marrëveshjes së shpejti pritet ndërtimi i një objekti tëri sipas standardeve evropiane dhe të kemi kushte më të mira në të ardhmen”, ka thënë Rafuna.

Të ngjashme