Thaçi në Shkup: Statuti i Asociacionit brenda 4 muajsh

Shkup | 27 Pri 2018 | 18:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në takimin e liderëve rajonalë, i cili u mbajt në Shkup, në kuadër të procesit të “Bërdo-Brione”. Në këtë Samit kanë marr pjesë edhe Presidenti i Këshillit Evropian, Donalt Tusk dhe kryeministri bullgar, Boyko Borissov, shteti i së cilit kryeson me presidencës e BE-së.

Në fjalën e tij, presidenti Thaçi ka thënë se ky Samit dërgon mesazh te të gjithë se rajoni ynë ka ndryshuar dhe se është shembull i zhvillimeve pozitive, duke përmendur organizimin e shumë takimeve rajonale në këta muajt e fundit.

“Të gjitha këto takime kanë bërë të qartë për të gjithë që sot, vendet e Ballkanit, komunikojnë, bisedojnë, dialogojnë, me njëra-tjetrën si mjet për të zgjedhur çështjet e hapura që kemi. Por edhe si mjet për të artikuluar qartë aspiratat tona për të ardhmen tonë”, ka theksuar ai.

Kreu i shtetit ka thënë se “Bërdo-Brione” ka shërbyer si një inkubator nga i cili kanë dalë shumë ide e nisma që pastaj kanë marrë forma të bashkëpunimit rajonal e më gjerë.

“Mbi të gjitha, këtu është konfirmuar nga të gjithë se aspiratë e jona e përbashkët është anëtarësimi i vendeve tona në Bashkimin Evropian. Ky anëtarësim do të thotë përcaktim për paqe të qëndrueshme, për stabilitet, për zhvillim, për prosperitet për të gjithë qytetarët tonë”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Sipas tij, të gjithë e kanë mirëpritur Strategjinë e Komisionit Evropian, e cila 15 vite pas Samitit të Selanikut, përsëri ri-konfirmon qartë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë derën e hapur për t’u anëtarësuar në BE.

“Samiti i Sofjes, i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ka karakter historik dhe është një mundësi e jashtëzakonshme për të gjithë ne” ka theksuar ai.

Presidenti Thaçi ka shtuar se nga ky samit duhet të nxjerrim maksimumin e mundshëm, si në çështjet që ndërlidhen me përmirësimin e infrastrukturës, energjisë, ndërlidhshmërisë, digjitalizimit, bashkëpunimit të të rinjve, në arsim, etj.

“Mbi të gjitha, ne duhet t’ua bëjmë të qartë shteteve anëtare të BE-së se ne si shtete kandidate dhe aspirantë për anëtarësim në BE, jemi të gatshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka theksuar presidenti Thaçi, duke shtuar se tani duhet shfrytëzuar me kujdes dhe pa humbur kohë këtë momentum pozitiv të krijuar.

Sipas tij, nëse ne dhe BE vonohemi, atëherë të tjerë të cilët nuk kanë agjenda pozitive për rajonin, do të shtojnë ndikimin në rajonin tonë.

Presidenti Thaçi ka theksuar se në Kosovë jemi të përkushtuar që t’i kryejmë detyrat tona. “Më lejoni të theksoj se ndër sukseset e fundit tona ka qenë ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. E arritura kryesore e kësaj marrëveshjeje është se zgjidhjen e kemi gjetur Kosova dhe Mali i Zi në mes nesh, pa ndërmjetësim të ndonjë pale të tretë”, ka shtuar Presidenti.

Kreu i shtetit ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në kërkim të një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.

Thaçi përsëriti se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut. “Ne jemi të gatshëm ta mbyllim kapitullin e mosmarrëveshjeve, armiqësive, konfliktit, dhe të hapim kapitullin e bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe pajtimit”, ka shtuar i pari i vendit.

Duke folur për Asocacionin e komunave me shumicë serbe, presidenti Thaçi ka thënë se javë më parë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë funksionalizuar Ekipin Menaxhues, i cili është kompetent për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Hartimi i statutit pritet të përfundojë brenda 4 muajve, siç është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit. Themelimi i Asociacionit nënkupton zbatim nga ana e Kosovës të të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ne shpresojmë që një gjë e tillë do të inkurajojë edhe Serbinë që të zbatojë në praktikë të gjitha marrëveshjet”, ka shtuar ai.

Presidenti ka mirëpritur deklaratën e përbashkët që do të lëshohet nga ky samit, e që sipas tij, Deklarata përmbledh më së miri vendosmërinë dhe aspiratën tonë.

“Për më tepër, deklarata e bën të qartë se kemi bërë hapa të mëdhenj përpara, si shtete dhe si rajon. Kërkojmë që këta hapa të marrin mirënjohjen tonë por edhe të botës, në veçanti të Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare të BE-së”, ka thënë ai.

Në fund, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e Brukselit që të pranojë atë që e kemi thënë sa herë në këtë forum, se Bashkimi Europian do të jetë i plotë vetëm kur tërë shtetet e Europës Juglindore të jenë pjesë e këtij komuniteti.

Në kuadër të këtij Samiti, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime me homolog të tij nga rajoni dhe shtetet të BE-së.

Të ngjashme