Thaçi: Në shtator nisin bisedimet “për bashkimin e Preshevës me Kosovën”

Prishtinë | 07 Gus 2018 | 12:51 | Nga

Presidenti Hashim Thaçi, pavarësisht kundërshtimeve të mëdha që vijnë nga spektri politik kosovar, vazhdon të flasë rreth idesë “për korrigjimin e kufijve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai gjatë një interviste për RTV Dukagjini, ka thënë se mbështetja për idenë e tij nga populli është masive, madje siç tha kjo do të vërtetohet edhe përmes referendumit kur të organizohet për këtë çështje.

“Vullneti masiv i qytetarëve të Kosovës është në favor të kësaj ideje, gjithashtu vullneti masivë është edhe i atyre që jetojnë në Luginë të Preshevës që t’i bashkëngjitën Kosovës. Kërkesa e tyre është e drejtë dhe e pranueshme. Në rast se ka pajtim mes dy palëve për këtë kërkesë askush nuk do të jetë kundër, as SHBA-të e as BE-ja”, tha Thaçi.

Presidenti vazhdon të insistoj se nuk do të ketë ndarje e as shkëmbim të territoreve pasi këtë e quan ide të vjetër të akademisë së shkencave në Serbi, por thotë se po punon fuqishëm për bashkimin e Luginës me Kosovën.

Madje sipas presidentit as që bëhet fjalë se në rast të bashkimit të Luginës, Kosova mund të humb një pjesë të veriut.

“E ritheksoj, Kosova është një, është vend i pavarur sovran nuk do të ketë ndarje nuk do të ketë shkëmbim, mund të ketë dhe duhet të ndodhë bashkimi i Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës me Kosovën, të tjera janë lajme të rrejshme”, shtoi Thaçi.

Ai paralajmëroi se në shtator zyrtarisht do ta prezantojë “idenë e bashkimit të Luginës me vendin tonë”.

“Besoj nga shtatori do të ketë diskutim të hapur për këtë çështje, por gjithçka do të jetë transparente. Unë do të flasë me qytetarët e Kosovës si dhe do të shqyrtoj seriozisht që për këtë çështje qytetarët të deklarohen me pyetjen në rast janë në favor të bashkimit të Luginës me Kosovën”, ka theksuar Thaçi.

Të ngjashme