Thaçi: Nga sfidat e përditshme, nganjëherë s’i shohim hapat e mëdhenj

Prishtinë | 16 Shk 2017 | 15:51 | Nga

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, për nder të nëntëvjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, sot i është drejtuar deputetëve dhe qytetarëve në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka thënë se 17 shkurti është ditë kur janë kurorëzuar sakrifica dhe ëndrrat që edhe qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë, të barabartë me të tjerët, në shtetin e tyre.

“Mendimi i parë është për të gjithë ata që dhanë çdo gjë që patën që ne ta gëzojmë këtë ditë. Sot jemi më afër se çdo ditë tjetër me heronjtë tanë, me dëshmorët tanë, me familjet e dëshmorëve, me familjet e të pagjeturve”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se 17 shkurti është ditë e shenjtë për Kosovën dhe është vetë historia e Kosovës.

Presidenti Thaçi ka bërë edhe një bilanc të punëve që janë bërë në nëntë vjetët e shkuar, duke theksuar se nga sfidat e përditshme nganjëherë nuk i shohim hapat e mëdhenj që kemi bërë.

“Janë vëllezërit dhe motrat tona nga diaspora që vijnë për vizitë në shtëpi që na e kujtojnë sesa shumë është zhvilluar Kosova jonë. Sa është ndërtuar shteti ynë. Janë ndërtuar qytetet, fshatrat, janë ndërtuar shkollat dhe arat e punës, janë shtruar rrugët dhe autostradat”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë se Kosova sot është e njohur si shtet nga 82 për qind e BE-së, 86 për qind e NATO-s, 56 për qind e OKB-së, 100 për qind e Forumit të Ishujve të Pacifikut, 61 për qind e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, 57 për qind e KARIKOM dhe 49 për qind e Unionit Afrikan.

Sipas presidentit Thaçi, gjatë kësaj periudhë janë ndërtuar institucionet demokratike dhe policia më profesionale në rajon, derisa pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës garojnë në stërvitjet më të vështira në botë dhe kthehen me medalje të artë.

“Kemi integruar të gjitha komunitet dhe punojmë çdo ditë që asnjë qytetar të mos ndihet i përjashtuar, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike, religjioze, gjininë apo orientimin seksual”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se në mediat e botës Kosova më nuk zë vend me storiet për luftën dhe vuajtjet, por me storiet për sukseset në ndërtim të shtetit dhe promovim të paqes dhe dialogut.

Presidenti Thaçi ka përmendur edhe sportistët dhe artistët e ndryshëm nga Kosova që gjatë këtyre viteve kanë ndikuar në formësimin e identitet shtetëror të Kosovës.

“Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova, Rita Ora, Dua Lipa, ekipi i filmit “Home” apo ai i filmit “Shok”, futbollistët tanë dhe basketbollistët tanë… Kjo është Kosova që sheh bota sot”, ka thënë ai.

Para deputetëve të Republikës së Kosovës, presidenti Thaçi është zotuar për të vazhduar me punët për ndërtimin e Kosovës, për Kosovën në NATO dhe në BE.

Ai ka kërkuar nga të gjithë që të bashkohen dhe të jenë unik në jetësimin e prioriteteve.

“Kjo do të kërkojë të njëjtin përkushtim, të njëjtin zell nga ne, sikur deri tani. Më shumë se çdo gjë tjetër kjo punë kërkon nga ne që të jemi të bashkuar, të jemi një kur bëhet fjalë për Kosovën”, ka shtuar ai.

Kreu i shtetit ka theksuar se dallimet në bindjet politike, në pikëpamjet për botën apo shoqërinë tonë nuk duhet të ndikojnë që të jemi unik në përkushtimin tonë për të ruajtur shtetin e Kosovës.

“Vetëm duke forcuar shtetin tonë, Kosovën tonë, do të mund të realizojmë edhe ambiciet tona”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë se jetojmë në një botë që po ndryshon shpejtë dhe në kohë ndryshimesh nuk mund të parashikojmë, por nga e kaluara jonë e dimë shumë mirë se nëse qëndrojmë të bashkuar, të vendosur, të drejtë, projekti ynë i shtetit të Kosovës do të ketë sukses.

“Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës”, ka thënë në fund presidenti Thaçi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme