Thaçi nis konsultimet për reformën zgjedhore, opozita s’i përgjigjet ftesës

Prishtinë | 04 Nën 2016 | 14:14 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar përfaqësuesit e partive politike për të biseduar për reformën zgjedhore.

Ftesës së Thaçit i janë përgjigjur kryeministri Isa Mustafa, si kryetar i LDK-së; Enver Hoxhaj nga PDK; kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka; kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani; Korab Sejdiu nga AKR-ja, Avni Klinaku nga Lëvizja për Bashkim  etj.

Sikur kishin paralajmëruar, ftesën e presidentin e kanë bojkotuar tri partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma.

Presidenti Thaçi tha se ky takim është thirrur vetëm për të biseduar për reformën zgjedhore dhe ky është një takim konsultativ mes partive politike.

Presidenti tha se tani duhet të ndodhë një fillim i ri që të ndodhin disa përmirësime të deformimeve elektorale.

Mënyra e zgjedhjes së presidentit, rritja e zonave zgjedhore, listat e mbyllura apo të hapura, ndryshimi i pragut zgjedhor si dhe pastrimi i listave të votuesve.

“Ka mangësi të sistemit të tanishëm. Kalimi nga një zonë në shumë zona kërkon amendamentin e Kushtetutës. Por mendoj se Kosova duhet të vazhdojë me një sistem me lista të hapura. Sa i përket ndryshimit të pragut zgjedhor është diskutuar për dy mundësi që të mbetet 5 për qind dhe e dyta që të ndryshoj në përputhshmëri me vullnetin e partive politike”, tha Thaçi.

Gjatë fjalës së tij Thaçi tha se është diskutuar që të zvogëlohet numri i deputetëve në Kuvend, nga 120 sa janë tani të bjerë në 100.

Mustafa: LDK do të japë kontributin e vet për reformën zgjedhore

isa-mustafa

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, njëherësh kryeministër i vendit, në takimin e thirrur nga presidenti Thaçi për reformën zgjedhore, tha se kjo parti do të angazhohet që ky proces të tejkalohet me lehtësi dhe pa probleme.

Mustafa ka thënë se është e rëndësishme që zgjedhjet lokale që janë vitin e ardhshëm dhe ato nacionale mbas një viti e gjysmë të organizohen në mënyrën më të mirë.

Ai theksoi se LDK-ja është e gatshme për të kontribuar në këtë proces.

“Ne jemi që këtë proces ta bëjmë sa më të thjeshtë. Ai po ashtu ka thënë se zgjedhjet lokale duhet të rishikohen dhe procesin zgjedhor të përfundojë sa më shpejt… Balotazhi të diskutohet nëse është i nevojshëm”, tha Mustafa, raporton Ekonomia Online.

Daka: Reforma zgjedhore duhet të bëhet sa më shpejt

thaci-daka

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, gjatë takimit të sotëm me liderët politikë ku po diskutohet për reformën zgjedhore, ka kritikuar partitë politike për mos përfundimin e kësaj reforme. Megjithatë, ajo ka thënë se KQZ-ja është e gatshme të japë kontributin e saj për të përfunduar me sukses reforma zgjedhore.

“Kjo reformë ka filluar para 4 vjetëve por nuk ka përfundua asnjëherë. Kemi parë në aspektin teknik shumë mangësi, sepse ai politik i takon subjekteve politike. Në jemi të gatshëm të japim kontributin tonë”, ka thënë Daka, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka shtuar se KQZ-ja e ka të pamundur që të merret me pastrimin e listave, por sipas saj problem po shkakton edhe vota me kusht.

Daka shfaqi shpresën që kjo reformë të përfundojë sa më shpejt, në mënyrë që të krijohen mundësitë optimale për fillimin e ndryshimeve ligjore.

Korab Sejdiu, nga radhët e AKR-së, tha se janë pro zgjedhjeve, por jo nëse kjo bëhet për të blerë kohë.

Ai tha se listat e mbyllura janë më të sigurta. “Reforma duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Përveç zgjedhjeve lokale dhe qendrore mendoj që edhe zgjedhja e presidentit duhet të bëhet nga qytetarët. Sa i përket listave mendojmë që listat e mbyllura janë më të sigurta dhe janë më reflektuese tek votuesit, ne këtë mënyrë ato janë edhe më të përshtatshme”, ka thënë Sejdiu.

Valon Murati, nga Lëvizja për Bashkim, tha se kjo reformë zgjedhore duhet të trajtohet më seriozisht sesa herën e kaluar, raporton Ekonomia Online.

“Jemi të gatshëm që të u tregojmë njerëzve që po punojmë seriozisht. Kësaj radhe reforma zgjedhore duhet të trajtohet më mirë se herën e kaluar, sepse e para edhe pse nuk shkoi deri në fund kishte disa mangësi”, tha Murati.

Ferid Agani, në emër të Partisë së Drejtësisë, shprehu përkrahjen e reformës zgjedhore të paraqitur nga presidenti Thaçi. “Jemi në vitin që i paraprin zgjedhjeve lokale, duhet të përfundojmë punën që e kemi nisur. PD është për një punë dinamike që të ketë ndryshime konkrete dhe ligjore të kemi një proces gjithëpërfshirës aq sa është e mundur që të kemi një proces sa më të thjesht të zgjedhjeve, një vullnet të votave me numërim elektronik siç ndodh në shumë shtete të rajonit dhe më gjerë”, tha Agani.

mahir-jagcilar valon-murati

Të ngjashme