Thaçi: Nuk ka gjykatë, tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë Veselin dhe luftën e tij për çlirim

Prishtinë | 07 Nën 2019 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas ftesës që Kadri Veseli sot  e mori nga Gjykata Speciale.

Thaçi në Facebook ka shkruar se gjithmonë është ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e Veselit për tri dekada.

”Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim”, shkruan Thaçi.

Ja postimi i plotë:

Fatin e viteve të gjata të robërisë dhe sundimit të popullit të Kosovës nga Serbia e ka ndryshuar përgjithmonë Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe angazhimi i të rinjve e të rejave që iu bashkëngjitën UÇK-së në luftë për liri dhe pavarësi. Lufta jonë për liri është kauza më e pastër, më e drejtë dhe më fisnike që mund ta ketë për fat një popull në historinë e tij.

Kam pasur nderin e madh që për lirinë e Kosovës që nga fillimi të rrugëtoj vazhdimisht me Kadriun dhe në çdo hap jam ndjerë krenar me punën dhe angazhimin e tij të pa shoq, tash e tri dekada. Nuk ka asnjë dyshim se zoti Veseli si edhe dhjetëra ish luftëtarë të UÇK-së, që tashmë janë ftuar nga Dhomat e Specializuara, ka pasur moralin më të lartë patriotik, politik dhe ushtarak.

Nuk ka gjykatë, as tendencë dhe as fabrikim që mund ta njollosë zotin Veseli dhe luftën e tij për çlirim. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare që mund ta njollosë luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ballafaqimi me këto pretendime do ta vulosë përgjithmonë dinjitetin e UÇK-së dhe do t’i diskreditojë e nihilizojë përgjithmonë fabrikimet në dëm të saj. Nuk ka gjykatë, as vendore as ndërkombëtare ,që do të mund ta rishkruaj historinë, dhe të barazojë viktimën me agresorin.HTH

Të ngjashme