Thaçi para kabinetit qeveritar: S’ka kompromise të reja me Serbinë, opozita t‘i bashkohet dialogut

Prishtinë | 29 Qer 2018 | 12:01 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti Hashim Thaçi para kabinetit qeveritar, teksa ka raportuar për takimin e së dielës në Bruksel, tha se Kosova nuk do të bëjë kompromise të reja me Serbinë.

I pari i vendit potencoi se në Bruksel e ka bërë të qartë se Kosova është e interesuar për të arritur marrëveshje përfundimtare obligues dhe ligjore me Serbinë, që epilog ka njohjen e ndërsjellë, raporton Ekonomia Online

“Të dielën e kaluar zhvilluam një takim bilateral me zonjën Mogherini, në këtë takim e bëmë të qartë se Kosova është e interesuar për të arritur marrëveshje përfundimtare obligues dhe ligjore me Serbinë”.

“Gjithashtu theksuam se marrëveshja eventuale duhet të jetë e balancuar dhe në fund ia bëmë të qartë se palët duhet të përfshihen për marrëveshje përfundimtare e jo të përkohshëm e në fund  të jetë njohje”.

“Ne kemi shprehur pozicionin tonë të qartë  se nuk ka hapësira për kompromise shtesë nga ana jonë. Jemi pajtuar që të bëjmë përpjekje që të mos lejohet rritje apo përshkallëzim të tensioneve që të ruajmë paqen dhe stabilitetin”.

Thaçi para Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrave shtoi se raportimet për këtë proces do të jenë të rregullta.

Sipas kreut të shtetit dialogu do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe do të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Tani kemi hapur fazën përfundimtare të dialogut në nivelin më të lartë institucional. Ky takim njësoj sikur në të kaluarën ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu ky proces i dialogut mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Ky informim i imi para jush duhet të kuptohet si një përkushtim i yni për të qenë transparent dhe llogaridhënës i këtij procesi. Puna e dialogut do të jetë transparente para qytetarëve”.

Thaçi edhe një herë ka garantuar se marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi do të dërgohet në Kuvend për miratim.

“Kuvendi i Kosovës duhet të jetë i përfshirë në këtë proces në mënyrë të drejtpërdrejtë se në rast se do të ketë marrëveshje në fund të këtij takimi Kuvendi do ta ratifikojë këtë marrëveshjen me 2/3 e votave”.

Nga Qeveria ai ka kërkuar përfshirjen edhe të partive opozitare në këtë proces, siç e ka quajtur ai të rëndësishëm për vendin, duke paralajmëruar edhe themelimin e Ekipit negociator gjatë javës së ardhshme.

“Jam i vetëdijshëm se Qeveria në koordinim me Presidencën e ka tërhequr platformën me të vetmin qëllim që t’i jepet kohë edhe mundësi partive të tjera, fatkeqësisht një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur dhe kjo është për keqardhje. Shpresoj që liderët e partive politike ta kuptojnë përgjegjësinë e tyre ndaj institucioneve shtetërore e mbi të gjitha ndaj qytetarëve tanë”.

“Ejani dhe bëhuni pjesë e delegacionit të Kosovës dhe jepni dijen dhe patriotizmin tuaj në tryezë bisedimesh. Kjo do të ishte veprimi i duhur, veprim më racional dhe i guximshëm të cilin e presin qytetarët e Kosovës”, ka theksuar ai.

“Gjatë javës së ardhshme pres që me bartësit e institucioneve dhe liderët opozitar të ulemi për të konkretizuar themelimin e Ekipit negociator të Kosovës për negociata dhe të Ekipit strategjik, por edhe të komisioneve të përbashkëta që do të punojnë për çështje që do të hapen në këto takime”.

Të ngjashme