Thaçi pas takimit me Kurz-in: Po mundohemi të ndërtojmë raporte të mira me Serbinë

Prishtinë | 06 Nën 2018 | 10:28 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas takimit me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, presidenti  i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova është e përkushtuar për dialog me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje që sjell paqe dhe stabilitet në rajon.

Thaçi bëri të ditur se me kancelarin Kurz kanë diskutuar për perspektivën në rajon dhe Kosovë, raporton Ekonomia Online.

“Ne zhvilluan një bisedë të hapur dhe shumë miqësore. Patëm rast të diskutojmë për perspektivën në rajon dhe Kosovë. Austria është duke vazhduar udhëheqjen e Bashkimit Evropian dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ka bërë përpjekje për ta promovuar perspektivën evropiane”.

Thaçi theksoi se marrëdhëniet e mira me fqinj janë qenësore në kontekst të integrimit evropian, raporton EO.

“Kosova ka bërë të qartë interesin për anëtarësimin në BE dhe NATO. Kjo është arsyeja që ne duhet të punojmë për t’i përmbyllur reformat e brendshme. Në kontekst të integrimit evropian, marrëdhëniet e mira me fqinj janë qenësore. Ne po mundohemi të vëmë raporte të mira edhe me Serbinë. Kosova mbetet thellësisht e përkushtuar për dialogun me Serbinë, për arritjen e një marrëveshjeje për njohje reciproke”.

Thaçi u shpreh i bindur se marrëveshja me Serbinë do të sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet për Ballkanin Perëndimor.

“Jam i bindur që marrëveshja gjithëpërfshirëse do të sjellë paqe të qëndrueshme për popujt tanë dhe paqe dhe stabilitet për Ballkanin Perëndimor. Dëshiroj t’ju falënderoj për mbështetjen tuaj”, shtoi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se duhet konsensus i spektrit politik për dialogun me Serbinë.

“Për ne si rajon është me rëndësi që Austria e ka rolin që e ka në Bashkimin Evropian. Kosova do të vazhdojë rrugëtimin e saj të sigurt për NATO dhe Bashkim Evropian, dhe në këtë drejtim Austria ka rolin e vet të rëndësishëm. Nuk kemi asnjë çështje të hapur me Austrinë”.

Presidenti i vendit ritheksoi se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave.

“Qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin. Është mirë edhe për vetë Bashkimin Evropian dhe besoj në mbështetjen e Austrisë. Ndërsa sa i përket marrëveshjes eventuale Kosovë-Serbi, dua të them se dialogu duhet të vazhdojë me rëndësi është që të gjithë spektri politik të jetë pro dialogut. Një gjë është e qartë, pa një marrëveshje paqësore dhe njohje reciproke asnjëri vend nuk do të ketë të ardhme të sigurt në Evropë”.

 

 

Të ngjashme