Thaçi për dialogun me Serbinë: Sivjet marrëveshja përfundimtare, BE e ShBA të jenë garantues

Prishtinë | 05 Pri 2018 | 10:34 | Nga Memhet Krasniqi

Presidenti Hashim Thaçi tha se Kosova është e vendosur për vazhdim të dialogut me Serbinë, dialog ky që do të përfundojë me marrëveshje finale dhe njohje nga shtetit fqinjë, raporton Ekonomia Online.

Thaçi në konferencën “Skenarët e ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit, shtoi se roli i Kuvendit e shoqërisë civile është shumë i rëndësishëm në përmbylljen e dialogut që vet e nisi në vitin 2012.

Sipas kreut të shtetit marrëveshja finale me Serbinë është interes nacional për Kosovën dhe mundëson anëtarësimin në OKB e NATO.

“Në të gjitha proceset ndërkombëtarë udhëheqja e Kosovës ka qenë e gatshme për marrëveshje politike me Serbinë. Edhe në vitet e rënda të luftës dhe paqe ne kemi qenë të gatshëm për marrëveshjen historike, kjo gatishmëri ka munguar në Serbi”.

“Arritja e marrëveshjes është interes nacional i Kosovës. Në duhet të jemi të bashkuar për t’i hapur rrugë Kosovës për anëtarësim në OKB, NATO dhe kudo”.

“Është e vërtetë që ka gjithnjë e më pak durim për të vazhduar dialogun të Bruksel pa një rrumbullakosim të saktë. Javët e fundit kam pasur shumë takime me diplomate të shteteve përfundimtare për të kuptuar qëndrimet ë shteteve që janë partnere të Kosovës”.

“Ka ardhur koha për marrëveshjen historike mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka dhe nuk mund të ketë status quo apo çështje të ngrirë. Ky vit të jetë korniza kohore për nënshkrimin e marrëveshjes. Kjo marrëveshje në Kosovë ka peshën e njohjes reciproke. Korrektimi i kufijve bart rreziqe qe te gjithë i dimë, prandaj nuk do të futem të detaje”.

Udhëheqësi i dialogut ka kërkuar që BE dhe ShBA të jetë garantuese e marrëveshjes përfundimtare, por edhe zbatimit të saj në praktikë, raporton EO.

“Besojmë që BE dhe ShBA do të duhet të jenë garantues jo vetëm të arritjes së kësaj marrëveshjeje, por dhe të zbatimit të saj. Jam i vetëdijshme për rreziqet politike dhe të sigurisë. Do te jetë i vështirë. Bisedimet me Serbinë ashtu siç i kemi bërë bashkë do të duhet të na bashkon edhe ne finalen e Brukselit, ky unitet politik është i domosdoshëm”.

Ai ka thënë se Kosova me përgjegjësi të plotë ka vazhduar dialogun por se ai ka theksuar që Serbia nuk është e interesuar për serbët e Kosovës.

“Dialogu në Bruksel ka pasur efektet e veta, kemi në funksion sistemin e drejtësisë në veri. Kemi lëvizje të lirë të njerëzve e mallrave. Kemi organizuar zgjedhje të para të lira në nivel lokal sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

“Po shoh rritje të vetëdijes politike pasi po mirëpritet dhe çështja e krijimit të strukturave të reja për Asociacionin e Komunave Serbe. Një gjë është e sigurt, Serbia pretendon territor të Kosovës, nuk është e interesuar për serbët e Kosovës”.

Në konferencë po marrin pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori i ShBA-së në Kosovë Greg Delawie, kreu i VV-së Albin Kurti e përfaqësues të tjerë vendor e ndërkombëtar.

Të ngjashme