Thaçi për dy muaj, pesë herë e vizitoi Shqipërinë

Prishtinë | 10 Kor 2020 | 10:09 | Nga Ekonomia Online

Hashim Thaçi viziton për të pestën herë Shqipërinë brenda dy muajsh dhe për të katërtën herë brenda një muaji. Katër prej vizitave kanë qenë jozyrtare e njëra “veç për qejf”.

Vizita e radhës presidentit të Kosovës ka qenë të enjten në rezidencën private të homologut tij Ilir Meta, në Gjirin e Lalëzit në Durrës. Në shoqërinë e tyre ka qenë edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Kënaqësi e veçantë të kisha sot një mik të veçantë si Presidenti Thaçi. Pa diskutim edhe bacën Behgjet. Kaluam disa orë shumë të bukura dhe frymëzuese”, ka shkruar Meta në Facebook.

Më 29 prill, kur Shqipëria dhe Kosova ishin në kulmin e pandemisë, presidenti Hashim Thaçi ka realizuar një vizitë “blic” në Shqipëri. Pas kthimit nga Tirana më 29 prill, presidenti i Kosovës nuk dha detaje për vizitën e shkurtër në Shqipëri, kur u pyet një ditë më pas nga gazetarët, përveç pohimit me cinizëm se kishte shkuar në Shqipëri “veç për qejf”. Kjo vizitë e Thaçit është pasuar një muaj më pas me një vizitë zyrtare më 5 qershor. Mbrëmjen e 4 qershorit ai deklaroi në një prej mediave në Shqipëri se kishte ardhur në këtë vend për një vizitë miqësore, për t’i takuar liderët politikë për shkak edhe të zhvillimeve të fundit politike në të dyja vendet.

Nuk kanë kaluar veçse 6 ditë nga 5 qershori dhe Thaçi ka qenë “inkonjito” në Tiranë. Ai ka qenë i ftuar në një studio televizive në mbrëmje. E ka shfrytëzuar orarin për t’u takuar me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Vizita në partinë që ka drejtuar Sali Berisha për një çerek shekulli nga ana e Thaçit është vlerësuar nga disa media në Tiranë si një provokim i kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, që ia bën liderit të saj historik, pasi Berisha ka shkëmbyer akuza të rënda me Hashim Thaçin, madje prej më shumë se dy vjetësh Berisha e etiketon Hashim Thaçin jo me emrin e tij, por si Miladini shqipfolës.

Ndërkohë, më 26 qershor, Hashim Thaçi, gjatë kthimit nga Vjena, kur ktheu rrugë pasi ishte nisur për Washington pas akuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, qëndroi në Vlorë ku ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në vilën qeveritare në Ujin e Ftohtë. Ky takim u pasua me vizitën e Edi Ramës në Prishtinë.

Vizita e fundit e Hashim Thaçit në Shqipëri ndodh vetëm katër ditë para se kreu i shtetit të Kosovës të paraqitet në Hagë për intervistim. Thaçi ka paralajmëruar se nëse pretendimet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj tij merren parasysh nga gjykatësi paraprak, ai do të japë dorëheqjen për t’u përballur me krimet të cilat mohon t’i ketë kryer.

“Në këto dy dekadat e fundit, shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore. Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vjetët e fundit, shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit. Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar”, ka shkruar ai në një njoftim në Facebook.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme