Thaçi për Guardian: Marrëveshja me Serbinë e mundshme sivjet

Prishtinë | 15 Pri 2019 | 10:48 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për të përditshmen prestigjioze britanike ka theksuar se një marrëveshje për të normalizuar marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, në ngjashmëri me marrëveshjen historike mes Greqisë dhe Maqedonisë Veriore është ende e mundshme të arrihet në vitin 2019, përkundër pengesave të rënda gjatë muajve të fundit.

Guardian shkruan se Serbia ka refuzuar ta njohë Kosovën si shtet i pavarur që nga koha kur ish province e saj u nda nga ajo në vitin 2008, pas pothuaj se një dekade të administrimit ndërkombëtar pas një luftë të përgjakshme gjatë viteve 1998-99.

E përditshmja britanike shkruan se lufta, e nxitur nga represioni brutal i forcave serbe ndaj separatisteve shqiptarë të Kosovës, shkaktoi rreth 10.000 të vdekur shqiptarë para kampanjës 78 dhiteshe të bombardimit nga ana e NATO-s e cila edhe e përmbylli konfliktin. Qindra serbë u vranë në sulme hakmarrëse.

“Ne duhet të ulemi edhe me armiqtë tanë të përbetuar, por pa parakushte, dhe të mundohemi ta dëgjojmë njëri tjetrin”, i tha Hashim Thaçi, President i The Guardian në një intervistë para konferencës në Berlin më 29 prill.
Bisedimet mes dy vendeve janë suspenduar nga nëntori, shkruan gazeta, kur Kosova ka vendosur tarifa 100 % në mallrat nga Serbia. Thaçi ka thënë se nuk ka plan për t’i larguar tarifat, por theksoi nevojën për progres të shpejtë.
Hezitimi ndërkombëtar dhe mesazhet e përziera “krijojnë hapësire për nacionalistët dhe populist në të dy anët e kufirit. Zakonisht, kjo nënkupton ego të zmadhuara dhe përplasje karakteresh, e shumë rrallë dëgjojmë për principe, standarde dhe vlera” ka shtuar ai.

Thaçi ka theksuar se ai ka investuar mbarë kapitalin politik të cilin e ka ndërtuar gjatë dy dekadave në suksesin e bisedimeve, dhe se çmimi vazhdimit të dështimit do t’i bëj dëm mbarë regjionit.

“Në rrethana të tanishme, me këto tensione, nuk se shoh se pse një investues i huaj do të vinte e të investonte në regjionin tonë. Vetëm një marrëveshje paqësore do të sjell prosperitet,” ka thënë ai për Guardian.
Gazeta shkruan se statusi i tanishëm gjysmak i Kosovës, e njohur nga disa shtete të BE-së, por jo nga disa tjera, nënkupton që shtetasit e saj janë të vetmit Evropianë nga perëndimi i Bjellorusisë e këndej, të cilëve u nevojitet viza për të udhëtuar në regjionin e Shengenit.

Këto restrikcione nuk aplikohen askund tjetër në Ballkan. Një e treta e fuqisë punëtore Kosovare është e papunë.

Guardian shkruan se jo zyrtarisht qarkullojnë plane për bashkimin e regjionit verior përreth Mitrovicës me Serbinë, dhe që Lugina e Preshevës me shumicë shqiptare ti transferohet Kosovës. Në praktikë, regjioni verior i Kosovës vepron me një formë të sovranitetit të dyfishtë, me ndikim si nga Kosova edhe nga Serbia.

Thaçi ishte një avokues i korrigjimit të kufijve, e cila u kundërshtua nga Gjermania, e cila beson se kjo mund të nxisë kërkesat gjysmë të përgjumura për kufijtë tjerë në Ballkan, duke i përfshirë edhe pjesët e dominuara nga serbët në Bosnje, të rivendosura në baza etnike.
SHBA-të sipas gazetës, me të cilat Thaçi është i afërt janë më mendje hapur rreth këtij plani.
Thaçi ka thënë për Guardian se “demarkacioni i kufirit” do të jetë pjesë e një marrëveshjeje të dyanshme gjithëpërfshirëse.

Por ka theksuar “se nuk mund të ketë kufij në vija etnike. Është pamundur. Edhe Kosova edhe Serbia do të mbeten shtete multi etnike”, ka shtua ai.

Nga fundi i vitit 2018 Kosova ka vendosur tarifa 100 përqindëshe në mallrat serbe dhe Serbia ka insistuar në largimin e tarifave si parakusht për rifillim të bisedimeve. Vendosja e tarifave ka sjellë deri te dorëheqja e katër krye bashkiakeve në komunat e Kosovës veriore.

“Serbët e Kosovës janë tërhequr nga jeta politike e Kosovës, duke përshirë edhe policinë dhe gjyqësinë në veri të Kosovës, “tha Thaçi. “Askush nuk ka përgjigje se si të lëvizet përpara dhe viktimat më të mëdha janë Kosovarët, e posaçërisht Serbët e Kosovës.”

Të ngjashme