Thaçi për letrën e Trumpit dhe Bidenit: Amerika unike në mbështetje të Kosovës

Prishtinë | 03 Mar 2019 | 12:59 | Nga Ekonomia Online

Duke folur për letrat që ka pranuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për letrën e pranuar nga ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Joe Biden, presidenti Thaçi ka shprehur falënderimin e tij për këto letra inkurajuese dhe mbështetëse për Kosovën. 

“Dëshiroj të falënderoj presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për letrat inkurajuese dhe zotimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të mbështesë fuqizimin e Kosovës, konsolidimin e brendshëm dhe atë të jashtëm, përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të qëndrojnë afër shtetit të Kosovës, në mbështetje të perspektivës euroatlantike, në mbështetje të qytetarëve të Kosovës, gjithashtu, edhe të perspektivës së ardhshme të vendit tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i vendit, gjithashtu, ka shprehur falënderimin e tij edhe për ish-zëvendëspresidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për letrën e tij përkrahëse për të arriturat në Kosovë dhe besimin që ka treguar në shtetin e Kosovës, por edhe në orientimin perëndimor të Kosovës.

“Nga letra e Presidentit Trump, gjithashtu edhe sot nga letra inkurajuese dhe mbështetëse e ish-zëvendëspresidentit Biden, një gjë mund të kuptojmë Amerika unike, e bashkuar qëndron përkrah dhe mbështetje të fuqishme të Kosovës” ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka potencuar faktin se çështja e dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje paqësore nuk është vetëm përkrahje e administratës aktuale të presidentit Trump, por është edhe një përkrahje e gjithë miqve të Kosovës që kanë qenë vendimmarrës në vendime historike për Kosovën.

“Çështja e dialogut Kosovë-Serbi për arritjen e një marrëveshje paqësore, një marrëveshje gjithëpërfshirëse të vullnetit reciprok për njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, nuk është vetëm përkrahje e administratës aktuale të presidentit Trump, por është edhe një përkrahje e gjithë miqve të Kosovës që kanë qenë vendimmarrës në vendime historike për Kosovën. Edhe në rastin e presidentit Clinton që mori vendimin për bombardimin e Serbisë për të ndalur gjenocidin nga Serbia dhe eksodin e shqiptarëve të imponuar nga shteti i Serbisë, e në të njëjtën kohë mbështetja është edhe nga presidenti Bush që ka theksuar me një qëndrim shumë të qartë se dialogu dhe marrëveshja paqësore janë alternative e vetme, e jo krizat, jo problemet, jo konfliktet, jo tragjeditë”, ka theksuar presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se Kosova nuk ka rrugë tjetër përpos ruajtjes, kultivimit dhe respektimit të këshillave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme