Thaçi pret ish-kryeparlamentarin e Austrisë, e falënderon për pjesëmarrje në 10-vjetor

Prishtinë | 20 Shk 2018 | 15:04 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim Dr. Andreas Khol, ish-kryetar i Parlamentit Nacional të Austrisë në periudhën 2002-2006 dhe deputet nga viti 1983.

Presidenti ka falënderuar atë për rolin e rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës që nga vitet 1990-të, si kritikues i ashpër ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve të Kosovës si dhe ndaj mbylljes së universitetit, akademisë dhe shkollave shqiptare.

“Austria ka qenë dhe mbetet ndër miqtë kryesorë të Kosovës. Ju faleminderit për prezencën në festën e 10-vjetorit”, tha Thaçi.

Nga ana tjetër, ish kryetari i Parlamentit Nacional të Austrisë, Dr. Andreas Khol ka uruar presidentin dhe popullin e Kosovës për dhjetëvjetorin e pavarësisë.

“Herën e parë kam qenë në Kosovë në vitin 1991 dhe kam kuptuar pse Kosova kërkon liri dhe pavarësi. Më bën të lumtur të shoh një Kosovë krejt tjetër, të ndërtuar”, tha Khol.

Në fund presidenti Thaçi ka thënë se Austria është përkrahëse dhe asgjë nuk i lëkund marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve.

Të ngjashme