Thaçi i quan spekulime paralajmërimet (e ambasadorëve) për rrezikimin e Kosovës

Prishtinë | 23 Dhj 2017 | 13:52 | Nga

Presidenti Hashim Thaçi, përmes një reagimi në Twitter, i është përgjigjur ambasadorëve të SHBA’së dhe Britanisë, të cilët mbrëmë thanë se nëse shfuqizohet Gjykata Speciale, atëherë rrezikohet e ardhmja e Kosovës.

Thaçi pa i përmendur emrat e atyre që i kanë bërë këto paralajmërime, i ka quajtur ato spekulime, shkruan gazetametro.net.

Ai ka thënë se midis spekulimeve është e rëndësishme që të gjithë të vazhdojnë të jenë të sigurt për të ardhmen e Kosovës dhe proceset e saj demokratike.

Tutje, në reagimin e tij, Presidenti ka thënë se shoqëria dhe udhëheqësia e Kosovës mbeten plotësisht të angazhuar për demokraci, sundim të ligjit, pajtim, dialog dhe marrëdhënie në baza të barabarta dhe të drejta.

Mbrëmë, ambasadorët e SHBA’së dhe Britanisë, në kohën kur po tentohej të procedohej nisma e 43 deputetëve për shfuqizim të Gjykatës Speciale, thanë se nëse do të ndodhte kjo, atëherë Kosova do të rrezikohej, dhe ky do të ishte rreziku më i madh që nga koha e luftës.

Të ngjashme