Thaçi s’i jep llogari Kuvendit për aktivitetet e tij, seanca u thirr në nene të gabuara të Kushtetutës

Prishtinë | 05 Mar 2020 | 08:26 | Nga Albana Hajdari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar thirrjen e një seancë për raportim para deputetëve lidhur me vizitën e fundit në ShBA dhe takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo kërkesë është vlerësuar e gabuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Presidenti nuk i jep llogari Kuvendit për punën dhe aktivitetet e tij, është tërësisht i pavarur, kështu ka thënë për Ekonomia Online, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus (D+).

Krasniqi theksoi se aktiviteti i tij në ShBA nuk ka qenë çështje urgjente dhe Kryesia nuk është e obliguar për të thirrur një seancë të tillë.

“Kërkesa e presidentit fillimisht ishte thirrur në nene të gabuara të Kushtetutës për të kërkuar një raportim vjetor të cilin presidenti ka të garantuar me Kushtetutë. Presidenti raporton në fund të vitit dhe për gjithë veprimtarinë e tij gjatë një viti. Tani kjo kërkesë për ta raportuar për një aktivitet të vetëm dhe jo duke trajtuar si një çështje të ngutshme, nuk përbën një materie që Kuvendi është dashur ta shqyrtoj me urgjencë”.

“Nëse ishte thirrur në nene të kushtetutës atëherë kryesia ishte dashur të jete e obliguar për të thirr seancë të jashtëzakonshme. Presidenti nuk jep llogari Kuvendit për punën dhe aktivitetet e tij. Është tërësisht i pavarur në përmbushjen e aktiviteteve të tij”, u shpreh Krasniqi.

Ndër të tjera, Krasniqi potencoi se një aktivitet i tillë, e pa ndonjë marrëveshje është dashur të bëhet në konferencë për medie, raporton EO.

“Mbajtja e konferencave për media është një praktikë e zakonshme që presidenti dhe presidentët e tjerë e aplikojnë. Një mënyrë e tillë e vizitës ka mundur të bëhet në këtë format pa pasur nevojë të ftoj një seancë e të raportoj në Kuvend. Siç tha presidenti nga Amerika ky takim ka qenë i vullnetit të mirë, nuk është nënshkruar asgjë dhe nuk ka pasur ndonjë pajtueshmëri”, tha Krasniqi.

Presidenti Hashim Thaçi pas përgjigjës negative nga Kryesia e Kuvendit, ka mbajtur konferencë për medie.

Të ngjashme