Thaçi: Specialja – padrejtësi historike

Prishtinë | 03 Mar 2017 | 08:16 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Zona e Debatit të Klan Kosovës ka thënë se e ka shtyrë përpara formimin e Gjykatës Speciale, për shkak të raporteve të shtetit me bashkësinë ndërkombëtare, megjithëse e sheh si padrejtësi ndaj Kosovës.

Ai ka deklaruar se ky lloj gjykimi nuk ka ndodhur me asnjë nga popujt tjerë të Ballkanit dhe cuditërisht nuk po ndodh për krimet e Serbisë.

“Unë e kam shtyrë fuqishëm votimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës. Kam respektuar opininin e secilit për këtë cështje. E kuptoj edhe faktin që kjo po ndodh vetëm për shqiptarët. Nuk ka ndodhur për asnjë popull tjetër në Ballkan. E kam theksuar dhe po e theksoj se ka qenë qasje jo e mirë e ndërkombëtarëve në raport me Kosovën, por për hir të ruajtjes së raporteve me ta e kam shtyrë përpara këtë cështje”.

“Në asnjë vend në rajon nuk ka pasur mekanizma më të fuqishëm ndërkombëtar prezent në Kosovë. Por krimet e Serbisë të kryera në Kosovë, ose janë trajtuar pak, ose fare”.

Thaçi më tutje ka theksuar se përderisa krimet e Serbisë janë kryer nga mekanizmat e shtetit, kosovarët mund të kenë kryer të tilla në baza individuale.

“Gjykata Speciale është padrejtësi historike që po i bëhet Kosovës. Por ne nuk kemi cfarë të fshehim. Tek e fundit, vet Kuvendi i Kosovës e ka aprovuar formimin e kësaj gjykate. Në Kosovë nëse dikush ka bërë dicka të keqe, e ka bërë si individ. Ndërsa Serbia ka kryer spastrim etnik si shtet”.(Klan Kosova)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme