Thaçi takoi Metën, flasin për rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar

Prishtinë | 03 Tet 2016 | 17:11 | Nga

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, presidenti Thaçi ka takuar edhe Kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Metën.

Me kryeparlamentarin Meta, presidenti Thaçi ka biseduar për rolin që Parlamenti i Shqipërisë mund të kenë në lobim dhe në mbështetjen e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka thënë se duke e thelluar bashkëpunimin ndërparlamentar me shtete të tjera, së bashku mund të arrihet edhe më shumë për sa i përket avancimit të pozicionit të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Ndërsa, kryeparlamentari Meta ka thënë se në çdo takim ndërkombëtar, në top agjendë të tij dhe përfaqësuesve të Kuvendit të Shqipërisë është Kosova dhe lobimi për forcimin e subjektivitetit të saj.

Presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Meta kanë diskutuar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në nivel komisionesh parlamentare në mes të parlamenteve të dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë.

Të ngjashme