Thaçi takon liderët politik, disa me telefon e disa nuk shkuan fare

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 15:15 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, takimin e parë për qëllim të informimit, konsultimit dhe koordinimit për çështje të interesit shtetëror e pati me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, raporton Ekonomia Online.

Dy të fundit, nuk e morën mundin të dalin para gazetarëve të tregojnë se për çfarë biseduan në këtë takim.

Njëjtë si Mustafa, veproi edhe ish-kryetari i Kuvendit, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli. Veseli ishte i shoqëruar nga nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuqi.

Por ndryshe nga Mustafa e Veseli, veproi ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj pas takimit me Thaçin, deklaroi se presidenti e informoi për takimin me presidentin e Serbisë,  Aleksandër Vuçiq në ShBA.

Haradinaj, potencoi se Thaçi nuk ka nënshkruar dokument por vetëm është biseduar se si të ecet përpara drejt marrëveshjes finale me Serbinë.

Haradinaj bëri të ditur se i ka thënë presidentit Thaçi që nëse në këtë temë është përmendur integriteti territorial i vendit atëherë është proces i dështuar.

“E kam filluar një iniciativë për konsulta me kryetarët e grupeve parlamentare që të takohemi me një konferencë Kosovë dhe për dy dy ditë pune t’i përfarojmë qëndrimet në rast të ballafaqimit Kosovës në një rast më final.”, tha ai.

Ai ka thënë se Thaçi e ka njoftuar se nuk është nënshkruar ndonjë dokument dhe se i ka dhënë  shpjegime  për atë që është biseduar, raporton EO.

Haradinaj tha se është njoftuar nga presidenti se është biseduar për mundësit e një marrëdhënie përfundimtare me Serbinë, por nuk ka dhënë shumë detaje.

“E shpjegova faktin se suksesi i një marrëveshje varet nga temat që diskutohen. E nëse diskutohet çështja e kufijve kjo ka dështuar ende pa nisur”, u shpreh Haradinaj.

Pas Haradinajt, takim me shefin e shtetit pati edhe kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Veçse ky i fundit, pati porosi edhe për kryeministrin Albin Kurti. Tha se duhet të pranohet kjo udhëheqje e dialogut nga ShBA-ja, e mos të rrezikohet raporti me Amerikën se kjo do t’i kushtojë Kosovës.

Limaj potencoi se duhet kuptuar se gjërat kanë ndryshuar nga letra e presidentit Donald Trump.

“Me ftesën e presidentit kemi ardhur në takim, qëllimi ka qenë që ta na informojë lidhur me zhvillimet e fundit në Uashington dhe rreth procese me interes nacional për vendin. Është e qartë se nga momenti i letrës së Donald Trump dhe emërimin e emisarit për dialogun gjërat kanë ndryshuar në dialog. Një lajm i jashtëzakonshme për Kosovën pasi kemi një involvim rreth dialogut Kosovë-Serbi”, tha Limaj.

Mes tjerash, ai tha se Kurti nuk duhet të veproj si Haradinaj në raport me ShBA-në, pasi siç tha ai, kjo do t’i sjell më shumë telashe vendit.

“Është e tepërt të thuhet se involvimi i ShBA së është i rëndësishëm për të përmbyllur dialogun Kosovë-Serbi. Është koha që të kuptojmë se në çfarë faze është Kosova dhe procesi i dialogut”.“Jo serioziteti dhe tallja mund t’i kushtojë Kosovës e sidomos nga viti 2017 që e ka zbehur Kosovën e nëse vazhdon kështu do të kemi telashe”, u shpreh Limaj.

Në konak presidentit i shkuan edhe Lista Serbe. Detaje nga ky takim, nuk u bënë të ditura ende.

Por dikush nuk pati kohë të shkojë në takim me Thaçin. Ishte kreu i AKR-së, Behxhet Pacolli, i cili është njoftuar nga presidenti vetëm përmes telefonit.

Përmes telefonit e as në takim Thaçit nuk i shkoi kryeministri Albin Kurti. Nga presidenca janë deklaruar se takimi ndërmjet Thaçit e Kurtit ishte paraparë në ora 13:00, por që ky i fundit e ka anuluar atë vetëm pak minuta para kësaj ore.

“Po, sot ka qenë i konfirmuar edhe takimi me kryeministrin Kurti, njëherësh lider i Vetëvendosjes. Ky takim është anuluar vetëm pak minuta para orës 13:00″, ka thënë këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj.

Kreu i shtetit Hashim Thaçi takimet me liderët institucional i filloi nga ora 10:30, të cilët i informoi rreth vizitës në ShBA dhe procesit të dialogut me Serbinë, raporton Ekonomia Online. Të fundit ai i  ka pritur në një takim përfaqësuesit e 6+.

Krejt në fund, presidenti Hashim Thaçi do të mbajë konferencë për medie në orën 16:00, ku pritet të njoftoj rreth takimeve të sotme me liderët institucional të vendit.

Të ngjashme