Thaçi takon Putinin: Rusia do ta mbështesë marrëveshjen Kosovë-Serbi

Prishtinë | 12 Nën 2018 | 12:54 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar në Paris presidentin e Rusisë Vladimir Putin, me të cilin thotë se kanë biseduar për marrëveshjen finale në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Thaçi përmes një postimi në Twitter ka thënë se Putin i ka premtuar se nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje të paqes mes tyre, atëherë atë do ta mbështesë edhe Rusia.

“Në Paris takova presidentin Putin dhe diskutuam për dialogun për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës së Serbisë. Në këtë temë presidenti rus ishte i qarët. Ai tha se nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje të paqes, Rusia do ta mbështesë atë”, ka thënë Thaçi.

Marrëveshja për “korrigjim kufijsh” nuk po përkrahet nga Gjermania dhe aleatët kryesorë të shtetësisë së Kosovës.

Ndërkohë Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë pengesa kryesore që Kosova edhe pas 10 vite të shpalljes së pavarësisë, është shtet i kontestuar ndërkombëtarisht, duke mos qenë anëtar i OKB-së dhe shumë organizatave të tjera ndërkombëtare.

Por, siç ka thënë presidenti Thaçi në paraqitjet e tij të fundit publike, Rusia do të pajtohet me pranimin e Kosovës në OKB nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje të paqes, e cila Thaçi po beson se mund të arrihet përmes “korrigjimit të kufirit”, sikur po e quan ai.

Të ngjashme