Thaçi thotë se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen e vitit 2015

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në forumin ndërkombëtar “GlobSec” që është duke u zhvilluar në Bratislavë ka thënë se Serbia nuk e ka zbatuar marrëveshjen për energji, për menaxhimin e kufirit, hapjen e urës së lumit Ibër etj.

Ai tha se Kosova e ka sistemin e drejtësisë të integruar si dhe janë hequr barrikadat. Thaçi po ashtu theksoi se në Kosovë nuk ka probleme ndëretnike.

“Për herë të parë kemi pasur zgjedhje lokale dhe të përgjithshme. Doja të shprehja mirënjohje presidentit Vuçiq për vizitën që i ka bërë qytetarëve serb në Kosovës, gjatë fushatës. Kosova do ta zbatojë marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave serbe të bazuar në Kushtetutën  e Kosovës. Lista serbe nuk ka lejuar qytetarët që të jenë pjesë e jetës politike dhe të shkruajnë statutin e Asociacionit. Nga ana serbe duhet të punojnë më shumë për marrëveshjen e integruar të kufirit, energjisë”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i vendit tha se 90 për qind e shqiptarëve e duan dialogun dhe marrëveshjen, si dhe nuk brengosen shumë për politikën ditore.

“Kemi krijuar një ekip negociator që do të merren me dialogun dhe janë plotësisht të unifikuar. Qytetarët e Kosovës duan një marrëveshje Kosovë – Serbi që do të çonte në integrim të vendit për zhvillim ekonomik, për një jetë më të mirë”, u shpreh ai.

Ndërsa, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq ka reaguar duke thënë se askund në marrëveshjen e Brukselit nuk shkruan diçka për temat e përmendura nga Thaçi.

“Thaçi tha se ne nuk kemi bërë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes për energjinë dhe urën në Mitrovicë. Në marrëveshjen e Brukselit nuk shkruan asgjë për to. Ura në Mitrovicë dhe IBM-ja nuk  përmenden në marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Vuçiq. 


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme