Thaçi vazhdon zvarritjen, Haradinaj mbledh Qeverinë e rënë

Prishtinë | 26 Kor 2019 | 08:41 | Nga Ekonomia Online

Një javë nga dorëheqja e kryeministrit të Kosovës gjërat ende nuk kanë lëvizur drejt zgjidhjes së situatës së krijuar, ndërsa institucionet e vendit po vazhdojnë me punë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas një javë heshtjeje politike, të enjten bëri të ditur se tek javën tjetër do të nisë konsultimet me partitë politike. Kështu së paku thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Kështu, presidenti vazhdon të injorojë thirrjet që sa më parë të shpallë zgjedhjet, duke konfirmuar tërthorazi zërat që pohojnë se intenca është që të gjendet mënyrë për krijimin e një qeverie të re, pa e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Në anën tjetër, Zyra e kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj, të enjten konfirmoi raportimet e KTV-së se kryeqeveritari që dha dorëheqje të premten e kaluar do ta mbledhë Qeverinë e rënë vetëm një javë më pas, po të premten.

Kështu, Haradinaj duket se injoron tërësisht thirrjet e partive opozitare, por edhe vlerësimet e ekspertëve juridikë, që thonë se pas aktit të dorëheqjes së parevokueshme, të cilën e shpalli para një jave, ai dhe kabineti i tij do të duhej të pushonin veprimtarinë qeverisëse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme