Thaçi: Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mësuar nga e kaluara, e dinë ku dërgon nacionalizmi dhe populizmi

Prishtinë | 01 Qer 2019 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviq, sot si panelistë kanë marrë pjesë në një diskutim të hapur në Forumin e Sigurisë “То Be Secure“ në Budvë.

Presidenti Thaçi ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë sfidat përafërsisht të njëjta dhe po punohet për t’i përmirësuar raportet ndërfqinjësore dhe për të përmbyllur çdo çështje të hapur.

“Këto pengesa janë të tejkalueshme nëse nuk biem në pozicionet e politikës ditore dhe populiste”, tha ai.

Pas sukseseve të jashtëzakonshme të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë për perspektivën e sigurt të Maqedonisë në NATO, krijimit të ushtrisë së Kosovës dhe hapat që po bëhen për partneritetin për paqe, pavarësisht dallimeve, presidenti Thaçi u shpreh optimist se rajoni është në rrugë të sigurt drejt së ardhmes euroatlantike.

“Jam një prej njerëzve që më së tepërmi jam i pakënaqur me qëndrimin e ngurtë të Bashkimit Evropian në raport me Kosovën, që nuk e ka vlerësuar drejtë progresin që po ndodhë në Kosovë, në veçanti për liberalizimin e vizave. Kanë përdorur standarde të dyfishta në raport me Kosovën, gjë që ka sjellë natyrisht një pakënaqësi, por në të njëjtën kohë ne si lidership e dimë se rruga e vetme për ne, alternativë e vetme është e ardhmja evropiane dhe anëtarësimi në NATO. Durimi jonë do jetë edhe më i madh sesa ndoshta vonesa e Bashkimit Evropian”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se të gjithë kemi mësuar nga e kaluara, se ku ka çuar nacionalizmi dhe populizmi.

“Ne jemi shumë të përcaktuar dhe po i formësojmë shoqëritë shumetnike në vendet tona, por jam i bindur se sa më tepër vonohet Bashkimi Evropian, aq më tepër populizëm do të ketë. Sot patriotizmi më i madh është kultivimi i këtij multi-etniciteti, po flas edhe për Kosovën, është zhvillimi ekonomik, sjellja e investitorëve të huaj, krijimi i vendeve të punës dhe rritja e mirëqenies social”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se tash mbetët sfidë normalizimi i raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, që është sfidë e madhe jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për krejt rajonin.

Ndërsa, i pyetur për aksionin e policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar në tërë vendin, presidenti Thaçi ka thënë se është bërë zhurmë e madhe për aksionin e policisë në raport me kontrabandën dhe korrupsionin ndaj individëve të caktuar, por ai nuk ka qenë i fokusuar vetëm në veriun e Kosovës, por në tërë vendin.

“Ballinat e mediave të Beogradit të gjitha thoshin se ishte fushatë kundër serbëve, por jo, është goditur një rrjet i krimit të organizuar shumetnik, serbë, shqiptarë, boshnjakë dhe komunitete tjera, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën.

Për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi ka thënë se realisht është në krizë, por ka shumë faktorë që kanë ndikuar që të jetë në krizë.

“E para, raporti Kosovë-Serbi është shumë i ndjeshëm për shkak të së kaluarës së hidhur dhe nën anën tjetër, edhe për shkak të vështirësisë për ta marrë vendimin strategjik për një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Është i ndjeshëm në Prishtinë, por është i ndjeshëm edhe në Serbi për shkak të mitit të rrejshëm që ka krijuar Beogradi në raport me Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi.

Nëse Kosova dhe Serbia mund të arrijnë gjatë këtij viti një marrëveshje përfundimtare, presidenti Thaçi theksoi se benifitet do jenë shumë të mëdha.

“Kosova do të njihet menjëherë nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Do të jetë edhe pjesë e OKB-së, do të ketë edhe njohje globale dhe anëtarësim të gjithanshëm në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se Kosova është plotësisht e orientuar drejt së ardhmes dhe po punon pandërprerë për të forcuar perspektivën evropiane.

Forumi i Sigurisë “To Be Secure” është organizuar nga Këshilli Atlantik, nën patronatin e Qeverisë së Malit të Zi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme