Thaçi: Themelimin e Ushtrisë s’mund ta kontestojë as NATO-ja

Prishtinë | 08 Mar 2017 | 18:13 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Projektligji për transformimin e FSK-së në Ushtri është në përputhje të plotë me të gjitha ligjet në fuqi dhe Kosova nuk ka bërë asnjë veprim antiligjor, i cili do të sillte destabilitet në vend apo rajon.

Kështu tha presidenti Hashim Thaçi, në një konferencë shtypi, pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit e shteteve të Kuintit. Më herët gjatë ditës, NATO-ja dhe Ambasada e ShBA-së në Kosovë qartësuan se nuk e mbështesin shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës pa ndryshimin e Kushtetutës.

Por, kreu i shtetit tha se se këtë obligim kushtetues dhe ligjor nuk mund të kontestojë askush, madje as NATO-ja, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës janë të bashkuar për krijimin e ushtrisë dhe ftoi Kuvendin ta marrë vendimin e merituar për FSK-në.

“Republika e Kosovës nuk po bën asnjë hap të papritur, asnjë veprim të njëanshëm apo të pakoordinuar, asnjë veprim antiligjor apo antikushtetues. Nuk po bën asgjë që do të mund të konsiderohej si rrezik për paqen dhe sigurinë në Kosovë apo rajon”.

“Realiteti dhe e vërteta në gjithë këtë proces është kjo: Shteti i pavarur i Kosovës, thjesht po bën një akt ligjor dhe kushtetues, i cili është themel i funksionimit të çdo shteti demokratik në botë. Ne, si institucione demokratike të shtetit të pavarur kemi vendosur që FSK-së t’i japim misionin dhe detyrat e një ushtrie moderne, profesionale, shumetnike, e cila do të jetë në gjendje për të mbrojtur sovranitetin shtetëror të vendit tonë”.

“Këtë obligim kushtetues dhe ligjor as nuk e ka kontestuar dhe nuk mund ta kontestojë askush nga partnerët tanë perëndimorë, duke përfshirë edhe NATO-n dhe shtetet anëtare të saj”.

Thaçi: ShBA-ja mbështet transformimin e FSK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se SHBA mbështetë procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri.

“Përkundër shqetësimeve, SHBA në asnjë rrethanë nuk e vënë në pikëpyetje të drejtën tonë legjitime”.

“SHBA-të kanë bërë të qartë që plotësisht e mbështesin këtë proces, por duan që kjo të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese”.

“Iniciativa ime nuk është tentativë është veprim kushtetues dhe ligjor. Të gjithë partnerët e theksojnë që Kosova ka drejtë të marrë vendime për të ardhmen e FSK-së. Ky proces do të vazhdojë në procedura të rregullta dhe ligjore është i pandalshëm dhe transformimi ka filluar. Unë i garantoj qytetarët qe kjo do të mbyllet me bashkëpunim të ShBA-së dhe NATO-s”, tha ai.

Thaçi fton Mustafën ta mbështesë

Presidenti ka falënderuar anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, të cilët e kanë trajtuar iniciativën ligjore me përgjegjësi dhe prioritet të lartë shtetëror, duke marrë vendim sot, “për të ecur përpara në këtë drejtim dhe duke e proceduar iniciativën ligjore për dhënien e mendimit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përputhje legjislacionin dhe rregulloret në fuqi”.

“Unë jam i bindur se edhe Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht kryeministri Mustafa do ta trajtojë draft-ligjin për FSK-në me prioritet të lartë dhe shumë shpejt do ta japë edhe zyrtarisht mendimin e vet pozitiv në mbështetje të tij”.

“Kam besim se Kryeministri Mustafa do të shqyrtojë bashkërisht me kabinetin që të ulen të diskutojnë dhe të marrin vendimin unanim sepse për ushtrinë nuk do të ketë dallime në spektrin politik”, theksoi Thaçi.

Fjalimin e plotë të Thaçit mund ta lexoni KËTU.

Të ngjashme