Themelohet Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, u premtohet përkrahje nga komuna

Prishtinë | 16 Nën 2018 | 17:08 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në Komunën e Prishtinës u mbajt ceremonia solemne e themelimit të Kuvendit të të Rinjve të Prishtinës, me ç’rast asamblistët e këtij kuvendi u betuan se do ta kryejnë detyrën e tyre me përkushtim dhe do ta përfaqësojnë me dinjitet rininë.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u tha të rinjve se është i sigurt që fuqinë që e kanë do ta përdorin për të mirën e përgjithshme, raporton Ekonomia Online.

“Çfarëdo vendimi që e marrim është vendim për rini. Sa më shumë të jeni të kyçur, jo të pritni që fuqizimin t’ua jep dikush. Fuqizimin e keni tashmë. Fuqinë nuk ua jep askush, e keni vetë. Jam e sigurt që fuqinë do ta përdorni për të mirën e përgjithshme”.

“Nuk ka vendime gjithmonë të duhura, por ka edhe të gabime. Duhet të sigurohemi që vendimet t’i marrim përmes informatave. Në Kosovë nuk është problemi i legjislacionit, problemi është te implementimi i legjislacionit”.

“Sa i përket të drejtave të fëmijëve, kemi legjislacionin më të mirë që duhet me pasë. Kur e shohim sa është implementimi, atëhere po t’i paguanim të gjitha të drejtat, Kosova do të bankrotonte si shtet.

“Merruni me studime, hulumtime, vlerësime të ligjeve. Mos u kufizoni me probleme të rinisë por shiheni si ta përmirësojmë situatën edhe më tutje”.

Selim Pacolli, nënkryetar i Komunës së Prishtinës u premtoi të rinjve të Kuvendit të Prishtinës përkrahje për çfarëdo kërkese që ata kanë.

“Sot po e shoh që jeni të rinj të cilët do të na pasoni neve që sot po qeverisim me Komunën e Prishtinës. Është kënaqësi të ju shoh bashkë të gjithëve dhe ju ftoj ta keni rolin e pozitës dhe të opozitës në mbarëvajtjen e punëve tona në Komunën e Prishtinës se sa po i përmbushim obligimet dhe premtimet tona”.

“Dijeni se e keni derën hapur në Komunën e Prishtinës për çfarëdo kërkese tuajën që vjen te ne”.

Kryetari i Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Kastriot Luma,  tregoi se këtë vit është legjislatura e pestë e të rinjve të Kosovës, e cila ka të themeluara gjithsej 17 degë në 17 komuna të Kosovës, raporton EO.

“ Si Kuvend, nëse e shohim si Kuvend të Rinjve të Kosovës kemi një emër goxha të madh. Edhe ne, si të gjitha strukturat rinore, në kuadër të OJQ-ve, funksionojmë në kuadër të Republikës së Kosovës”.

“Brenda këtyre viteve kemi pasur disa gjenerata që kanë bërë jashtëzakonisht punë të mirë për rininë dhe tash është legjislatura e pestë e të rinjve të Kosovës e cila ka të themeluara 17 degë në 17 komuna të Kosovës. Jemi në proces të themelimit edhe të pesë degëve të tjera”.

“Kjo iniciativë ka nis prej të rinjve të organizatës tonë duke e pa mungesën e përfaqësimit të të rinjve nëpër komuna. Momentalisht në organizatën tonë janë të anëtarësuar mbi 500 të rinj, pa e përfshi numrin e vullnetarëve që janë pjesë e aktiviteve të tjera që i realizojmë. E gjithë kjo ka nisë me qëllim që ne si të rinj të kemi një rol në vendimmarrje dhe t’u krijojmë hapësirë të rinjve t’i shprehin idetë e tyre”.

Luma kërkoi mbështetjen e institucioneve për Kuvendin e të Rinjve të Kosovës.

“Brenda një kohë të shkurtër kemi arritë të bëhemi një ndër organizatat më të mëdha rinore në Kosovë. Kërkoj mbështetjen e institucioneve, sepse kudo që shkojmë është mirë me kërku atë, të institucioneve qendrore dhe lokale”.

Xhevat Bajrami, drejtor i Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit tha se me plotësim ndryshimin e Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje synohet edhe përfshirja e Kuvendit të të Rinjve.

“Është kënaqësi që ju shoh. Edhe unë kam qenë pjesë e juaja me vite të tëra. Me plotësim ndryshimin e ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje këtë vit, ne dëshirojmë t’ju përfshijmë edhe juve nën ombrellën e ligjit, që edhe ju ligjërisht të jeni pjesë e Ligjit për fuqizim dhe pjesëmarrje të të rinjve”.

Të ngjashme