Thyerja e idesë për ndryshime

Prishtinë | 18 Mar 2018 | 09:35 | Nga

Lëvizja Vetëvendosje ka mbërritur të bëhet partia më e madhe në vend, duke u prezantuar si alternativë e vetme që mund të sjellë ndryshime, ndryshe nga të gjitha subjektet e tjera politike që ishin provuar në pushtet. Ideja është goditur nga vetë kjo parti, pas thyerjeve që tash ka përjetuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Problemet në LVV ishin më të moçme sesa një vit. Por, ato i ishin mbajtur fshehtë publikut dhe nuk ishin manifestuar jashtë, në dy palë zgjedhjet e organizuara në 2017-n. Ato nacionale ia dyfishuan votën këtij subjekti dhe e bën me më së shumti deputetë në Kuvend. Lokalet ia siguruan pushtetin edhe në Prizren e në Kamenicë, krahas Prishtinës që e kishte nga mandati paraprak. Ia shtuan edhe fuqinë në kuvendet komunale gjithandej Kosovës.

Por, menjëherë pas zgjedhjeve lokale, e në prag të atyre brendapartiake, problemet i qitën jashtë. Shpërthimi ndodhi pas një pyetjeje që Aida Dërguti e kishte shtruar në një grup komunikimi elektronik ku kishin qasje të gjithë deputetët e LVV-së.

Dardan Molliqaj kishte dhënë kumtin aty se e kishin arrestuar Donika Kadajn, ndërsa pyetja e Dërgutit kishte këtë përmbajtje: “E atë m*tin?”. Shprehja fyese në fjali nënkuptonte Albin Kurtin, themeluesin dhe njeriun më të votuar të LVV-së, e i cili të njëjtën ditë ishte arrestuar. Ajo kishte kërkuar falje për gjuhën, por kësaj ia kishte shtuar faktin se reagimi i saj ishte “pas disa problemeve e mospajtimeve të thella politike e organizative” që ishin shfaqur prej një viti në organizatë.

Të ngjashme