A do t’i lejonte Vetëvendosje vajzat me shamia në shkolla?

Prishtinë | 02 Qer 2017 | 21:32 | Nga

Në një debat zgjedhor në RTV21, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje janë pyetur nëse partia do t’i lërë vajzat me shamia të shkollohen nëpër shkolla publike të vendit, po që se vjen në pushtet, pas zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Çështja e shamive është çështje e rregulluar me të drejtat dhe liritë e njeriut. Edhe me Kushtetutën e vendit tonë. Secili qytetar që ka moshën 18 vjeçare, sipas Kushtetutës së vendit, ka të drejtë të vishet siç i pëlqen”, është përgjigjur Faton Topalli, kandidat i VV’së për deputet.

Megjithatë, Topalli nuk ka pasur përgjigje konkrete nëse Vetëvendosje do t’i lejojë personat nën moshën 18-vjeçare që të bartin shami në shkolla.

“Nuk ka asnjë ligj që ndalon veshjen në këtë mënyrë apo atë mënyrë”, është shprehur ai.

As kandidatja e VV’së për deputete, Arbërie Nagavci, aktualisht drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, nuk ka dhënë përgjigje të qartë në pyetjen nëse Vetëvendosje do t’i lejonte vajzat 14-18 vjeçare me shami në shkollë, nëse merr pushtetin.

“Jemi për respektimin e plotë të ligjit dhe të Kushtetutës. Do të respektojmë atë që parashihet në Kushtetutë. Do të sigurohemi që në të gjitha shkollat të vlejë i njëjti kriter për të gjithë. Jo në rastet si ekzistojnë deri më tani, ku ka dallime të mëdha prej komunës në komunë, apo prej shkollës në shkollë”, është përgjigjur ajo.

E pyetur se si e ka rregulluar këtë çështje në Prishtinë, ajo është përgjigjur: “Në Prishtinë e respektojmë plotësisht Kushtetutën. Kushtetuta thotë se për ata që janë mbi 18 vjet, duhet të respektohet e drejta e tyre për shami”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme