Tomë Gashi: Thaçi është dashur t’i japë kohë Kurtit për emrin e mandatarit, për shkak të situatës me pandeminë

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 21:38 | Nga Ekonomia Online

Avokati Tomë Gashi ka thënë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, është dashur t’i japë rast kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, që t’ia dërgojë emrin e mandatarit derisa të kalojë situata me Covid 19.

“Në situatë të pandemisë, logjika juridike, njerëzore dhe etike, çon që Thaçi është dashur të presë Kurtin derisa çështja e pandemisë të kalojë apo të zbuten masat”.

“Në pesë letrat, Kurti nuk është përgjigjur, por nuk ka refuzuar formimin e Qeverisë. Kurtit, meqë nuk i është dhënë rasti në bazë të Kushtetutës, që të formojë një Qeveri tjetër dhe ta bindë Thaçin, këto letrat ping – pong, nuk mund kryetari i shtetit, t’i marrë kinse Kurti po refuzon ta dërgojë emrin e mandatrit”.

Gashi në Rubikon në Klan Kosova, ka thënë që sa i përket të nominuarit të LDK-së për kryeministër, Avdullah Hotit, nuk ka asgjë kundër, por sipas tij, fjalën e fundit për këtë duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese.

“Kjo mund të ndodhë nëse dikush qëllimisht dëshiron që ta shkelë krejtësisht kushtetutën dhe ta grabisë pushtetin, për shkak se votuesit më 6 tetor 2019 nuk kanë votuar kështu. Është e çuditshme. Unë s’kam asgjë që Hoti të bëhet kryeministër; nëse i kalon procedurat, por këtë duhet ta vërtetojë fillimisht Gjykata Kushtetuese”.

“Gjykata me siguri do të vendosë që kjo është shkelje dhe Qeveria Kurti do të duhet të mbetej në detyrë derisa, Gjykata të sjellë një vendim të caktuar”.

“Vetëm kështu ka një logjikë juridike që Qeveria Kurti të mbetet në detyrë dhe t’i ushtrojë funksionet e saj. Nëse Gjykata e aprovon kërkesë e VV-së, atëherë do shpallen të gjitha veprimet jokushtetuese dhe qeveria e Hotit s’do jetë në fare në funksion”, ka thënë Gashi.

Të ngjashme