Topalli: Mërgatës po i komplikohet e drejta e votimit

Prishtinë | 16 Maj 2017 | 14:27 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli, ka thënë se mërgata kosovare po vazhdon të trajtohet keq nga Qeveria e Kosovës dhe e drejta e saj për votim po komplikohet përmes procedurave shumë të komplikuara, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media Topalli ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk po e informon si duhet mërgatën për të votuar.

Ai ka theksuar se mërgata përmes remitencave ka luajtur një rol të rëndësishëm për ekonominë e vendit.

“Mërgata ka luajtur një rol të madh dhe është faktor i paqes, ku ka dhënë mbi 2 miliard euro për vendin tonë. Mërgata e Kosovës si në asnjë shtet në Ballkan plaçkitet në pika kufitare dhe trajtohet keq gjatë kalimit. Në qeverisjen e ardhshme do t’i heqim policat e sigurimeve për mërgimtarët”, tha ai, duke shprehur nevojën për një rregullim të tillë ligjor i cili ndalon plaçkitjen e mërgimtarëve si nga sigurimet e automjeteve ashtu edhe nga shteti.

Sipas tij, mërgata e Kosovës ka potencial të madh njerëzor dhe ekonomik.

“Ne do të angazhoheni t’i mbrojmë interesat e tyre, do të angazhohemi që ekspertët që janë në mërgim t’u japim mundësi që të veprojnë në vend”, ka thënë Topalli.

“Kanë mbet edhe 6 ditë kur është data e fundit për të aplikuar për votim. Ne ftojmë të gjithë ata që kanë mundësi që të blejnë një biletë dhe të vijnë këtu të votojnë dhe të tjerët të japin votën e tyre në internet. Ne jemi për ndryshim, mërgata është për ndryshim dhe qytetarët janë për ndryshim. Ne do të angazhohemi që tu krijojmë vende mërgimtarëve në parlamentin e Kosovës”, ka thënë Topalli.

Të ngjashme