Tre ministra ftohen për raportim në Komisionin për Komunitete dhe Kthim

Prishtinë | 03 Maj 2018 | 12:49 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka ftuar në raportim tre ministra, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi do të rapotojë për për konkursin për pranimin e policëve të rinj dhe përfshirjen e komuniteteve.

Kolegu i Gashit, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, me kërkesë të deputetit Veton Berisha do të flasë për ndarjen e mjeteve për komitetet jo serbe. Berisha dha arsyet pse duhet që të raportojë Reçica.

“Kemi një nismë ligjore për plotësim ndryshim të ligjit për festa zyrtare. E dyta është që kemi pasur të ftojmë dy ministra, Ministren e punëve të Brendshme pe përfshirjen e komuniteteve në konkursin e policisë si dhe ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, tha Berisha.

“Për shkak se ka ndarë një buxhet  prej 1.8 milion për komunitetet jo serbe mirëpo komuniteti egjiptas nuk është përfshirë. Asnjë ministër nuk ka të drejtë të ndaj buxhet për një grup parlamentar. Unë dua që ministri të vijë dhe të tregoj se me çfarë të drejte ndan një buxhet të tillë”.

Duda Balje tha se për këtë duhet të thirret edhe ministri i Financave sepse ai ka ndarë buxhetin, por edhe ministri për Kthim dhe Komunitete.

“Unë nuk pajtohem të thërrasim ministrin e Punës dhe Mirëqenies sepse nuk ndan ai buxhetin por ministri i Financave. Nëse ministri i Punës vjen unë them që edhe ministri për Kthim duhet të jetë këtu”, tha ajo.

Albert Kinolli tha se fondi është ndarë sepse grupi 6+ ka bërë kërkesë.

“Ky fond është ndarë për komunitetet jo serbe por kërkesa është iniciuar nga grupi 6+. Nuk është mirë me paragjykua sepse ne nuk e kemi kushtëzuar askënd që të ndaj një fond ose do të bjerë qeveria. Ne kemi kërkuar dhe kemi hasur në mirëkuptim. Ne nuk e kemi shantazhuar ministrin. Lus komisionin që të mos mbahet mbledhje kur ka seancë”.

Kujtim Shala, nga LDK, tha se nëse kërkohet nga një deputet që një ministër të vijë, atëherë komisioni duhet ta përkrah.

“Kjo që po kërkon vetoni është në rregull sepse një anëtarë i komisionit ka të drejt të thirr një ministër. Unë mendoj që ministri duhet të vijë nëse ka diçka për të sqaruar. Nëse komunitet ndahen ashtu besoj se ka bazë për cenim të kushtetutës”.

Kryetari i komisionit Igor Simiq tha se pika për raportimin e komisioneri për gjuhët, Slavisha Mladenoviq, lidhur me sfidat rreth zbatimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, është shtyrë për shkak se ky i fundit nuk ka mundur të jetë i pranishëm.

Ndërkaq për Shqyrtimin  i Projektligji për mbrojtjen të konsumatorit Xhelal Sfeçla tha se ligji ka problem me drejtshkrimore.

Të ngjashme