Tre senatorët nesër në Prishtinë, takojnë presidenten dhe kryeministrin

Prishtinë | 20 Pri 2022 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Tre senatorët amerikanë, Chris Murphy, Thom Tillis dhe Jeanne Shaheen do të vijnë nesër nga Sarajeva në Prishtinë, ku edhe do ta përmbyllin vizitën e tyre në rajon. Derisa paralajmërimin se do ta vizitonin edhe Kosovën e kishte dhënë edhe vetë Chris Murphy në llogarinë e tij zyrtare në “twitter” më 19 prill.

Senatorët gjatë qëndrimit në Prishtinë do të takohen me shefen e shtetit, Vjosa Osmanin, dhe kryeministrin, Albin Kurti. Në takimet me krerët e shtetit, tre senatorët do të jenë të shoqëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Vizita e këtij delegacioni amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor është nxitur nga zhvillimet në Ukrainë dhe lufta që Vladimir Putin ka nisur atje.

Gjatë gjithë kësaj kohe që prej fillimit të konfliktit në Ukrainë, ka pasur paralajmërime se rajoni mund të jetë cak i Putinit për destabilizim dhe kjo ka alarmuar Perëndimin.

Këtë e kishte konfirmuar edhe vetë senatori Murphy në njoftimin për vizitën në Serbi, Kosovë dhe Bosnje gjatë kësaj jave, duke thënë se Putin mund t’ia mësyjë krijimit të ndonjë problemi në ndonjë rajon të brishtë siç është Ballkani Perëndimor.

“Derisa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ata do të përpiqen të krijojnë probleme në rajonet e brishta të afërta. Unë gjatë kësaj jave jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje me senatoren Shaeen dhe senatorin Thom Tills për të forcuar lidhjet e SHBA-së me Ballkanin përballë përpjekjeve të huaja për ta minuar paqen”, kishte paralajmëruar Murphy.

Tre senatorët, të martën kanë qëndruar në Beograd ku janë takuar me krerët e shtetit atje, Vuçiqin dhe Brnabiqin. Sot janë duke qëndruar në Sarajevë dhe kanë zhvilluar takime me treshen presidenciale të Bosnje e Hercegovinës.

Senatori Murphy edhe më herët ka shfaqur interesimin e tij pë rajonin, konkretisht dialogun Kosovë-Serbi. Bashkë me senatorin Ron Johnson kishte vizituar Prishtinën dhe Beogradin në vjeshtën e vitit 2019. Nga Prishtina dy senatorët kishin kërkuar që Kosova e Serbia të bënin sakrificë për marrëveshjen finale. Murphy në Kosovë kishte qëndruar edhe në vitin 2014 dhe kishte takuar Atifete Jahjagën sa kishte qenë presidente e Republikës.

Të ngjashme