Trendafilova: I kam përcjellë deklaratat e Konjufcës, Gjykata s’mund të mbikëqyret

Prishtinë | 04 Kor 2022 | 14:06 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, gjatë një takimi, i është përgjigjur kryekuvendarit Konjufca lidhur me deklaratën e tij se duhet të krijohet një mekanizëm kontrolli ndaj kësaj gjykate.

Trendafilova tha se një gjë e tillë nuk është e mundur, pasi që “asnjë gjykatë nuk mund të jetë në mbikëqyrje”.

“Sa i përket, lexova dhe e kam përcjellë gjithashtu deklaratën e zotit Konjufca, kryetarin e Parlamentit, më duhet të shpreh pikëpamjen time, ne jemi gjykatë, asnjë gjykatë nuk mund të jetë në mbikëqyrje që vjen nga legjislativ apo degë ekzekutive, kjo nuk është e mundur”, u shpreh Trëndafilova.

Më 17 qershor, Konjufca mbërriti në Hagë, ku vizitoi ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë. Pasi u kthye prej atje, i pari i Kuvendit tha se Dhomat e Specializuara nuk kanë asnjë mekanizëm kontrolli.

“Ne si institucione do t’i bashkërendojmë të gjithë hapat, ashtu që të mund të vijmë deri te një koncept se cili do të ishte një mekanizëm legjitim i kontrollit demokratik i kësaj gjykate. Askund në botë nuk ka gjykata, të cilat janë institucione absolute, të mbyllura, hermetike, të cilat bëjnë çfarë të duan. Gjithkund në botë, gjykatat i nënshtrohen një procesi, mekanizmave të kontrollit sa u përket të gjitha çështjeve, mbarëvajtjes së punës aty, sa u përket procedurave, pretendimeve për ndonjë shkelje eventuale”, ka deklaruar Konjufca.

Të ngjashme