Tri ditë fushatë, dhjetëra ankesa në PZAP

Prishtinë | 25 Sht 2017 | 11:55 | Nga

Subjektet politike, kandidatët dhe organizatat e shoqërisë civile kanë filluar ankesat për parregullësi gjatë fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), prej datës 22 deri më 24 shtator 2017 ka pranuar 23 ankesa dhe 1 apel.

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-it ka bërë të ditur për AktivPress se ankesa kanë paraqitur subjektet politike, kandidatët dhe organizata të shoqërisë civile, ndërsa apeli sipas tij ka të bëjë me decertifikimin e një kandidati.

“23 ankesat kanë të bëjnë me shkeljen e Kodit te Mirësjelljes të LZP-se gjatë fushatës zgjedhore e cila ka filluar me datën 21 shtator 2017”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e Deskut.

Sipas tij, ankesat janë në procedurat shqyrtimit dhe PZAP-i do të vendosë lidhur me këto ankesa brenda afatit ligjor si dhe me vendime do t’i njoftojë palët ankuese në kohë.

Fushata zgjedhore e partive politike për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor ka nisur sot pesë ditë.

Mbi 200 kandidatë janë certifikuar për të marrë pjesë në garën për kryetarë të komunave të Kosovës.

Ndërkaq, rreth shtatë mijë kandidatë do të garojnë në këto zgjedhje për të fituar ulëse në kuvendet komunale.

Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komuna të Republikës së Kosovës më 22 tetor të këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme