Tri opsione për targat, sipas Bislimit

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se aktualisht janë tri opsione në tavolinë si zgjidhje për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që zgjidhja e përkohshme skadon më 21 prill.

Në një intervistë për “Kossev.info”, Bislimi ka thënë se marrëveshja nuk nënkupton “njohje të shtetësisë”.

Sipas tij, ndër propozimet është mbajtja e targave ekzistuese pa stikerë fare, dhe dy tjerat për t’i modifikuar targat si të Serbisë ashtu edhe të Kosovës.

“Opsioni A është të mbahen simbolet kombëtare dhe të ndryshohen shkurtesat dhe varianti B – anasjelltas – të ndryshohen simbolet kombëtare dhe të mbahen shkurtesat. Tash për tash, pala serbe insiston për stikerë”, ka thënë Bislimi.

Sipas tij, në marrëveshje mund të shtohet një paragraf që thekson se “kjo nuk do të thotë që Serbia e njeh Kosovën apo se Kosova e njeh Serbinë”.

Dy delegacionet do të takohen edhe këtë javë dhe do të kenë edhe një takim tjetër në Bruksel në prill.

Sipas Bislimit, nëse nuk arrihet një zgjidhje Bashkimi Evropian do të duhet të identifikojë cila palë ka qenë bllokuese.

Ai ka përsëritur qëndrimin se më në Kosovë nuk do të ketë tabela me targa KM.

Takimet e grupeve punuese parashihen në pikën e tretë të marrëveshjes për targat, të cilën dy shtetet e patën arritur në Bruksel më 30 shtator. Dy pikat e para të realizuara ishin zhbllokimi i pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak dhe tërheqja e policisë nga atje, si dhe mbulimi me letra ngjitëse i simboleve shtetërore në targa. Kjo marrëveshje u arrit pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me targa ndaj Serbisë dhe dërgimin e Njësisë Speciale të Policisë për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit. Në kundërshtim të tij, serbët për rreth dy javë bllokuan rrugët që çojnë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Të ngjashme