Tryeza për Presidentin, Kryeziu: Nëse duan aprovim për zgjedhje të reja, nga ana e LV-së tashmë e kanë

Prishtinë | 25 Nën 2020 | 13:46 | Nga Përparim Bublaku

Lëvizja Vetëvendosje është kundër çfarë do marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të ri, pa shkuar në zgjedhje.

Kjo parti ka lënë të kuptohet se nuk do të marrë pjesë as në tryezën e paralajmëruar nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa, me partitë parlamentare ku do të diskutohej mundësia e një marrëveshje për zgjedhjen Presidentit.

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu ka thënë për Ekonomia Online se vendi duhet shkuar në zgjedhje dhe Kuvendi i ri të zgjedh edhe Qeverinë edhe Presidentit.

Ai ka thënë se sa i përket shkuarjes në zgjedhje s’ka nevojë për diskutim vetëm për aprovim, e Vetëvendosje sipas tij, e ka dhënë aprovimin për zgjedhje të reja.

“Nga ajo që u raportua në media, qëllimi i këtij takimi ose tryeze është krijimi i një uniteti rreth gjetjes së një zgjidhjeje mbi çështjen e presidentit të ri. Qëndrimi ynë është parimor. Nuk ka unitet pa legjitimitet. Nuk ka zgjidhje të mirëfilltë pa zgjedhje. Si në rastin e qeverisë ashtu edhe në rastin e pozitës së Presidentit. Çdo zgjidhje që për qëllim ka shmangien e zgjedhjeve nuk ka për synim përmirësimin e tejkalimin e gjendjes por mirëmbajtjen e saj. Zgjedhja e presidentit të ri përmes kuvendit të vjetër e para zgjedhjeve të reja, nënkupton vazhdimin e qeverisë Hoti. E ne e konsiderojmë këtë qeveri të paligjshme e pa legjitimitet dhe që duhet të shkojë sa më parë. Pra nuk është zgjidhje e problemit, por harrnim i problemit. Për këtë nuk ka nevojë për diskutimit, ka nevojë vetëm për aprovim. E aprovimin për zgjedhjet e reja nga ana e LV-së tashmë e kanë”, ka thënë Kryeziu.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, të martën ka paralajmëruar mbajtjen e një seance në fillim të dhjetorit me subjektet politike parlamentare, ku do të diskutohej për një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit.

Por, për këtë tryezë është deklaruar edhe PDK-ja. Kryetari në detyre i kësaj partie, Enver Hoxhaj, ka thënë se për këtë së pari duhet të arrihet unitet ndërmjet partnerëve të koalicionit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme