U shpall plagjiator dhe iu ngjit posteri në Filozofik, reagon Bujar Dugolli

Prishtinë | 22 Qer 2022 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, ORCA, sot ka njoftuar se Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës ka konstatuar se “punimi i paraqitur nga profesorët Dugolli dhe Kastrati ka përmbajtje të theksuar të plagjiaturës dhe si rrjedhojë i ka shkelur të gjitha standardet e ndershmërisë akademike dhe kredibilitetit në publikime shkencore”.

Pas kësaj, ka reaguar profesori universitar, Bujar Dugolli. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se ORCA po e vazhdon fushatën e orkestruar për ta penguar në zhvillimin akademik dhe profesional.

Dugolli e ka kundërshtuar vendimin e Këshillit të Etikës, duke e cilësuar si “joprofesional, arbitrar, të ndikuar nga ORCA dhe Rektori i UP-së .

“Përmes këtij reagimi dua të kundërshtojë vendimin e Këshillit të Etikës, të datës 16.06.2022, si vendim joprofesional, arbitrar, të ndikuar nga ‘’ORCA’’ dhe Rektori i UP-së, të cilët për të realizuar interesat e tyre, për të mbajtur në kontrollë UP-në, po vazhdojnë këtë fushatë, tash e një vit, duke shmangur fokusin nga zhvillimet e dëmshme për universitetin, nga aspekti menaxherial, deri të keqpërdorimet e rënda të detyrës dhe buxhetit të UP-së”, thuhet në reagimin e Dugollit.

Ai tha se do t’i ndjekë të gjitha procedurat e apelimit dhe nuk do të ndalet në promovimin dhe mbrojtjen e Universitetit të Prishtinës.

Të ngjashme