A u tërhoqën edhe deputetët e PDK-së për Specialen, sikurse shefi i tyre

Prishtinë | 11 Jan 2018 | 19:06 | Nga

Hajdar Beqa e Andin Hoti nuk kanë ndryshuar mendje pse dhanë nënshkrimin e tyre natën e 22 dhjetorit, për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Vazhdojnë të jenë kundër saj, ani pse kreu i partisë së tyre Kadri Veseli u zmbraps paksa nga nisma e para dy javëve. Tash ky i fundit po thotë se iniciuesit dështuan duke mos i menduar reaksionet kundër saj. Përveç Beqës e Hotit, deputetët e tjerë të PDK-së refuzojnë të flasin.

Ende nuk është i qartë pozicionimi i Partisë Demokratike të Kosovës karshi Gjykatës Speciale. Ndonëse i dhanë zor që e njëjta përmes një seance të jashtëzakonshme të hidhet në votim në mbrëmjen e 22 dhjetorit, tash partnerët e koalicionit janë ndarë edhe në këtë çështje. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, në një shkrim autorial, ka theksuar se Gjykata Speciale do të ndodhë dhe se ky është veprim i pashmangshëm.

Gazeta Express ka provuar të marrë qëndrimin e deputetëve të PDK’së, të cilët nënshkruan për ta shfuqizuar Specialen, por veç tre prej tyre nuk kanë hezituar të flasin për këtë çështje. Të tjerët pranuan haptazi të thonë se nuk duan të prononcohen nëse janë tërhequr edhe ata sikurse lideri i tyre.

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se qëndron mbrapa asaj që e ka nënshkruar ditë më parë dhe se kjo mund të ndryshojë vetëm në ndonjë vendim tjetër të partisë. Gjithmonë deri në atë rast kur, siç shprehet Beqa, ky vendim të jetë për të mirën e vendit.

“Unë e kam lexuar më vëmendje qëndrimin e Veselit, është një qëndrim që është për t’u respektuar, është qëndrim i lidershipit dhe me kohë. Është dashtë ndoshta të jetë edhe më herët ky qëndrim”, ka thënë ai.

Por, zyrtari i PDK-së teksa flet për dhënien pro të nënshkrimit të tij e sqaron pozicionin e tanishëm, derisa arsyeton shkrimin e Veselit për këtë çështje.

“Unë jam njëri nga deputetët që e kam nënshkruar shfuqizimin. Ne realisht deri në vendimet tjera do të qëndrojmë mbrapa qëndrimit që e kemi bërë, nëse merret vendim me forumet e partisë, kryesinë dhe kryetarin e partisë e grupit parlamentar i respektojmë vendimet që i marrim, por këto do të jenë vendime në të mirë të popullit dhe të mirën e qytetarëve”, sqaroi ai.

Por, këmbëngulës në atë që ka nënshkruar, qëndron Andin Hoti. Ky deputet i PDK’së u shpreh se që nga fillimi, ka ishte kundër kësaj gjykate. Thotë se ka qenë i vetëdijshëm se çfarë po nënshkruante në ditën kur deputetëve iu dha një letër. Ngjashëm sipas tij, e kanë ditur edhe deputetët tjerë.

“E para. Unë kam qenë kundër gjykatës Speciale qysh në fillim (para se të bëhem deputet), sepse mendoj që cenon Sovranitetin e Kosovës dhe dëmton imazhin e UÇK-se. E dyta, unë nuk jam inicues i kërkesës për shfuqizim, jam vetëm përkrahës dhe i rri mbrapa nënshkrimit tim. Në momentin qe kam nënshkruar e kam lexuar dhe kam qene i vetëdijshëm çka po nënshkruaj, si çdo deputet tjetër.

Hoti thekson se deklaratën e kryetarit Veseli nuk po e sheh as si tërheqje, por as si përkrahje. Thotë se e sheh si frustrim të drejtë ndaj atyre që u mllefosen aq shume me këtë iniciativë. Të cilën ai e quan të drejtë.

“Mendoj që duhet të konsultohemi edhe njëherë me faktorin ndërkombëtar, dhe të gjejmë një zgjidhje që Gjykatat e tilla të merren me të gjitha krimet në Kosovë dhe mos të vihet gishti vetëm në drejtim të UÇK-së. Ne e dimë që krime në Kosovë ka bërë Serbia dhe jo vetë ne, ne jemi vetëmbrojtur. Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar në Kosovë në vitin 1999 nënkupton një gjë të tillë”, thotë ndër tjerash ai.

Sidoqoftë, Hoti është i mendimit që Kosova ta formojë një gjykatë vendore që merret me krimet e luftës, por jo të iu imponohet një gjë e tillë nga ndërkombëtaret. “Ata duhet të respektojnë vullnetin tone dhe sovranitetin tonë. Ndjej keqardhje për një pjesë të shoqërisë që reagoi aq panevojshëm ndaj iniciativës se shfuqizimit të Gjykatës! Nëse, megjithatë kjo gjykatë krijohet, atëherë kërkoj që me çdo kusht kjo të merret me të gjitha krimet në Kosovë, nga kushdo qofshin ato. Gjithashtu, kërkoj që kjo gjykatë të merret edhe me personat e zhdukur”, ka shtuar ai.

Në mesin e atyre që nënshkruan atë natë kundër Speciales, ishte edhe deputetja e PDK’së, Xhevahire Izmaku. Ajo nuk ka treguar për Express nëse ka ndryshuar bindje, por njofton se ende nuk kanë ndonjë takim zyrtar me partinë.

“Sot nuk mundem të deklarohem sepse ende s’kemi asnjë takim zyrtar me parti dhe deklarimet e reja të kryetarit te partisë nuk më dhanë mundësi të them me siguri çka do të ndodhë tutje”, u shpreh shkurtimisht ajo.

Në natën e 22 dhjetorit, Kryesia e Kuvendit nuk kishte kuorum për marrjen e vendimit që të nxirret në votim kërkesa për zhbërjen e Gjykatës Speciale.

Të ngjashme