“UÇK-ja u formua për të zvogëluar ndikimin e Rugovës”

Prishtinë | 22 Pri 2018 | 22:49 | Nga

Ish-kryeministri serb i akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Nikolla Shainoviq, në një intervistë për portalin Espreso të Serbisë, ka një teori “interesante” pse ishte formuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Ai thotë se Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj u bënë pjesë e shërbimeve sekrete të instaluara nga Shqipëria në Kosovë.

“Ata janë bërë instrumente të shërbimeve sekrete të sigurisë të shtetit shqiptar, në fillim i formuar si shtab i përgjithshëm. Sipas raporteve tona ata formuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për të zvogëluar ndikimin e Rugovës në Kosovë dhe për ta shkatërruar ata brenda trupit shqiptar”, ka thënë Shainoviq.

Ai thotë se drejtësia nuk është dëshmuar me gjykimin e Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, pasi ‘edhe pse dy të akuzuarit në fjalë u shpallën të pafajshëm, gjyqi ndaj tyre vërtetoi se kampet ku ata pretendohet se ishin kryer krime, ekzistonin’.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me Kosovën nëse Serbia do ta pranojë si shtet për të hyrë në BE-së, Shainoviq thotë se duhet pyetur se cilat do të jenë marrëdhëniet midis fuqive të mëdha në këtë fushë, pasi kjo do të dominojë në llojin e zgjidhjes, shpejtësisë, dinamikës dhe marrëdhënieve.

“Nëse amerikanët vlerësojnë se këtu po rritet ndikimi i Rusisë dhe Kinës, atëherë ata do të vijnë me një zgjidhje për ‘çështjen’ e Kosovës, jo për shkak të Kosovës, por për të parandaluar ndikimin e Rusisë dhe Kinës”, shprehet ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme