Udhëheqësi i Unionit të Bizneseve shqiptaro-gjermane pretendent për deputet, pret Qeveri stabile

Prishtinë | 23 Jan 2021 | 07:52 | Nga Resmije Ballazhi-Jahiri Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Udhëheqësi i Unionit të Bizneseve shqiptaro-gjermane, Bekim Brestovci, po synon të fitojë një mandat si deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, raporton Ekonomia Online.

Brastovci që përfaqëson Nismën Socialdemokrate, është detyruar që ta lëshojë Kosovën qysh në vitin 1993, si i përndjekur politik, por që nuk e n dali aktivitetin edhe në Gjermani ku edhe vazhdoi të veprojë dhe punojë.

Përderisa pas luftës ai aktivitetin e tij e vazhdoi në Kosovë me qëllim krijimin e një organizate të fuqishme të biznesit. 

Brestovci po zotohet se do të punojë  për projekte që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit.

“Doja t’i realizoja në Kosovë, projektet që kishin të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, pastaj me ndërtimin e sistemit dual të shkollimit për gjeneratat e reja, njëkohësisht me krijimin e mundësive për krijimin e shoqërive aksionare të biznesit të diasporës shqiptare për t’i dhënë një fuqizim më të madh, një hov më të madh zhvillimit ekonomik të vendit dhe njëkohësisht konsistonte edhe në krijimin e zonave ekonomike për bizneset ekonomike nga diaspora”.

Ndër të tjerash, Brestovci flet edhe për përkrahjen nga diaspora që do ta ketë partia nga e cila ai vjen.

“Kësaj radhe po i qasemi me kërkim vote me pesë anëtare në listën për deputet nga diaspora, kështu që ne presim një masivizim nga diaspora që numerikisht ti kemi diku 10 mijë vota”.

Ai nga këto zgjedhje, pritet që të ketë një Qeveri të qëndrueshme dhe opozitë të mirëfilltë.

“Prandaj, dëshira ime do të ishte që këto zgjedhje të ofrojnë një zgjidhje për Republikën e Kosovës, mandej të kemi krijim të një Qeverie të qëndrueshme. Natyrisht të kemi edhe një opozitë  të mirëfilltë që orientimi i pozitës dhe opozitës të jetë në drejtim të kontributdhënies për të  mirën e qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit e pastaj gjërat e tjera do të vijnë vetvetiu”.

Intervista e plotë:

EO: Si ka qenë fillimet tuaja në fushën e biznesit në diasporë?

Brestovci: Unë prej Kosovës në drejtim të Gjermanisë jam larguar në 1993 në atë kohë  si i përndjekur politik. Jeta ime në atë kohë ka qenë bukur e vështirë, sepse kam qenë azil kërkues pa të drejtë pune dhe është dashur  më shumë se një vit e gjysmë deri sa e kam fituar qëndrimin e përhershëm në Gjermani dhe të drejtën e punës. Fillimisht  kam punuar punë të ndryshme pa e selektuar asnjë dhe refuzuar asnjë për të kryer  cikle të ndryshme të shkollimit deri në titullin master në vitin 2004 dhe pas së cilit pasatja kisha pasion për të filluar ndërmarrje private me ndërmarrësi. Në vitin 2004, kam blerë një kompani e cila në tregun Gjerman ka qenë e themeluar nga viti 1972 e që veprimtaria e tij kryesore ka qenë menaxhimi i objekteve sidomos në zona industriale, më pastaj kam vazhduar  me një ritëm të krijimit të kompanive të reja deri në vitin 2016 dhe gjithsej deri më tani pronar i 11 kompanive prej të cilave 9 nga to janë operative ndërsa dy janë në formë të holldingut të cilat njëkohësisht janë  edhe pronarë të kompanive të tjera  që janë kompani operative.

Kjo ka qenë fillimi i  veprimtarisë sime afariste dhe deri në vitin 2016 kam ushtruar edhe veprimtaritë të drejtpërdrejtë në dobi të kompanive që janë në pronësi timen ndërsa që nga viti 2016 pastaj jam tërhequr nga pjesa e kontributit  tim të  drejtpërdrejtë dhe kam filluar aktivitetin në Unionin e Bizneseve Shqiptaro Gjermane si Drejtor Ekzekutiv i këtyre bizneseve me një qëllim të vetëm që të krijojmë një bashkim të të gjithë atij kapitali që ne e kemi, resurset e afaristëve tanë për të dhënë edhe një kontribut që të jemi më të fuqishëm në tregun gjerman si shqiptarë, por edhe njëkohësisht t’i paraprijmë krijimit të parakushteve si potencial i bashkuar i shqiptarëve të bashkuar në diasporë dhe të vijmë e të kontribuojmë në Kosovë. Në historikun tim të ikjes shpesh herë e përmendi e që ndërlidhet me këpucët e mija të ikjes 1993 i kam vuajtur përplot 25 vite për t’i  shndërruar pastaj në këpucë të kthimit. Kjo do të thotë që prej momentit që jam larguar nga vendlindja dëshira ka qenë që një ditë prapë të jem në Kosovë dhe këtë dëshirë e vullnet ti kthejë këpucët e ikjes në këpucë të kthimit dhe t’i kontribuojë vendit e ti kthehem vendit me të njëjtat këpucë. Kështu edhe ka ndodhur në vitin 2018, sepse e kisha një ëndërr timen që herëdokurdo të kthehem këtu dhe ta përmbushë edhe një kapitull të asaj zbrastësie, të jem afër familjarëve të mi të jem drejtpërsëdrejti në vendin tim për te kontribuar më shumë.

EO: A i keni arritur  qëllimet e juaja pasi që jeni futur në politikë?

Brestovci: Në fakt nuk kemi arritur me i realizuar  qëllimet sepse po të ishin të realizuara qëllimet që i kam parashtruar para vetes natyrisht se do të ishte motivimi më i vogël që të merrem tutje me politikë me siguri se do e ndërroja formatin e aktivitetit tim mirëpo, futja ime në politikë është shumë e hershme gjithsej janë vetëm 6-7 muaj në Qeveri në pozicionin zëvendësministër në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Patëm një fatkeqësi njërin ndër projektet më të mëdha të Diasporës i cili veç ishte në konkretizim e sipër përmes ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë dhe ministrisë së Diasporës për një Zonë Ekonomike në regjionin e Malishevës, ngeli akoma pa filluar mirë për tu realizuar ndoshta në një etapë tjetër dhe presim  që të krijohen prapë parakushte për jetësimin ne projekteve të tilla mirëpo nuk mund të  flas për ndonjë iniciativë timen sepse po them po flasim për një kohë shumë të shkurt. Prandaj garimi im për deputet lidhet kryekëput me projekte me të cilat kam ardhur për të cilat jam në politikë.

EO: Në këtë kandidaturë, çka prisni nga këto zgjedhje?

Brestovci: Do të ishte mirë që këto zgjedhje të jenë një zgjidhje për Republikën e Kosovës. Siç e dimë kemi kaluar në një kohë bukur të vështirë sidomos pas shkuarjes së Presidentit Thaçi në Hagë, patëm problemin pastaj se si do të zgjidhet Presidenti i Shtetit gjë që në një çfarë mase prodhoj një krizë politike që nuk i’u gjend zgjidhja deri në momentin që edhe Gjykata Kushtetuese, vendimin që tani më e kemi të njohur për opinionin dhe u deshtë të futemi edhe në këtë proces  zgjedhor. Prandaj, dëshira ime do të ishte që këto zgjedhje të ofrojnë një zgjidhje për Republikën e Kosovës, mandej të kemi krijim të një Qeverie të qëndrueshme. Natyrisht të kemi edhe një opozitë të mirëfilltë që orientimi i pozitës dhe opozitës të jetë në drejtim të kontributdhënies për të  mirën e qytetarëve të Kosovës dhe të Shtetit e pastaj gjërat e tjera do të vijnë vetvetiu.

EO: Pse keni vendosur të kandidoni përsëri?

Brestovci: Kandidimi im i parë ka qenë në garën e 6 tetorit 2019, në atë kohë pak më parë jam kthyer nga  Diaspora pas 26 viteve atje,  opinioni deri diku është i njoftuar që deri diku para ardhjes time në Kosovë, kam qenë drejtor i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane një Organizatë me 500 anëtarë,  afaristë të suksesshëm atje. Ardhja ime këtu ka qenë si rezultat i disa projekteve që kisha, doja ti realizoja në Kosovë së bashku me  shokët e mi, projekte këto që kishin të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, pastaj me ndërtimin e sistemit dual të shkollimit për gjeneratat e reja, njëkohësisht me krijimin e mundësive për krijimin e shoqërive aksionare të biznesit të diasporës shqiptare për ti dhënë një fuqizim më të madh, një hov më të madh zhvillimit ekonomik të vendit dhe njëkohësisht  konsistonte edhe në krijimin e zonave ekonomike për bizneset ekonomike nga diaspora.

Do të thotë këto ishin projektet e mia që synoja t’i realizoja, pastaj, nëse do të bëhesha deputet apo nëse do të merrja një mandat në Qeveri. Tani në mandatin të cilin ne e patën si pjesë e Qeverisë, flas për Nismën Socialdemokrate, ishte një periudhë shumë e shkurtër për të realizuar ato synimet e mia. Kështu që mendoj ti qasëm edhe njëherë kërkimit të votës të marr mandatin prej deputetit dhe do të ndikoj pastaj  që të institucionalizohen të gjitha mundësitë për realizimin e këtyre projekteve që i kam unë dhe shokët e mi nga diaspora.

EO: Nëse jeni pjesë e Kuvendit të Kosovës, cili do të jetë kontributi juaj?

Brestovci: Fillimisht në Parlamentin e Republikës së Kosovës do të doja të kemi një qasje tjetër të kemi më shumë  seriozitet, të kemi bashkëpunim Pozitë dhe Opozitë dhe partitë politike mes vete të iniciojmë projektligje e ligje të ndryshme të cilat shkojnë drejtpërdrejtë në interesin e qytetarit t’i lëmë anash ndasitë kur janë në pyetje  interesat e përgjithshme të popullatës dhe të vendit dhe mendoj që vetë  jeta ime në një shtet, në një demokraci të avancuar siç është Gjermania të sjellë ndoshta edhe një frymë të re, një qasje të re në Parlamentin e Kosovës, e cila mund të shërbejë për t’i evituar disa deficite që tani veç i shohim në Parlament.

EO: Ku e shihni Nismën gjatë këtyre zgjedhjeve?

Brestovci: Pas këtyre zgjedhjeve, Nismën e shoh në Parlament e shoh si zë i fuqishëm i gjithë i asaj shtrese me nevoja sociale e shoh si zë i  fuqishëm i shoqërisë të margjinalizuar e shoh si zë i fuqishëm i gjithë atyre shtresave të dala nga lufta, zë i fuqishëm i veteranëve, zë i fuqishëm i familjeve të dëshmorëve, zë i fuqishëm i gjithë atyre luftëtarëve të lirisë, por natyrisht edhe një zë i fuqishëm i të gjitha atyre interesave që lidhen drejtpërdrejtë me mirëqenien ekonomike-sociale i të gjithë atyre qytetarëve të Republikës së Kosovës.

EO: Sa vota mendoni që do t’i merrni ju nga diaspora?

Brestovci: Vota është e lirë dhe nëse ai është i Republikës së Kosovës apo në Diasporë duhet që përmes votës ta shpreh vullnetin e zgjedhjes së lirë si qytetar, duhet që ta adresojë votën në adresën e atij subjekti politik që mendon se do të bëhet menaxhues më i mirë i vullnetit të tij dhe gjithherë në dobi të vendit, kështu që n presim nga diaspora që të na japë mbështetje kësaj radhe më shumë  se sa herëve tjera, për vetë faktin që unë jam përfaqësues nga diaspora, ku kam ardhur me një projekt konkret. Nisma tani më, e ka edhe Nismën për diasporën që e ka si departament të veçantë  në kuadër të Partisë, ne kësaj radhe po i qasemi me kërkim vote me pesë anëtare në listën për deputet nga diaspora, kështu që ne presim një masivizim nga diaspora që numerikisht ti kemi diku 10 mijë vota.

Të ngjashme