Udhëtimi i Hotit në Uashington përcillet me shumë paqartësi

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 19:18 | Nga Ekonomia Online

Dy javë nga takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, ende nuk është vendosur nëse kryeministrit Avdullah Hoti do t’ i bashkëngjiten edhe partitë e tjera në pushtet.

Me arsyetimin se është ende herët, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë pranuar të tregojnë se cilët anëtarë të kabinetit qeveritar do të udhëtojnë për në Uashington.

“Përveç kryeministrit, në takimin në Uashington do të marrin pjesë edhe ndonjë prej ministrave, si dhe stafi përcjellës. Nuk mund të jap emra shkaku që është ende herët e nuk ka diçka definitive”, ka thënë Xhavit Beqiri nga Zyra për Komunikim e Qeverisë.

Zhvillimi i bisedimeve pa përfaqësuesit e partive në koalicion vazhdimisht është kritikuar nga AAK-ja e Nisma. Por zyrtarë të këtyre partive kanë qenë të paqasshëm gjatë së hënës.

Mungesa e koordinimit e përfaqësimit të partnerëve të koalicionit në dialogun me Serbinë është kritikuar nga shoqëria civile.

Sipas Arbër Fetahut nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, mungesa e konsensusit edhe brenda kabinetit qeveritar është e dëmshme për pozitën e Kosovës në procesin e dialogut.

Përveç ekipit të Hotit, e paqartë vazhdon të jetë edhe agjenda e këtij takimi.

Duke iu referuar deklarimit të emisarit të SHBA-së për dialogun me Serbinë, Richard Grennell, nga Zyra e Kryeministrit kanë thënë se më 2 shtator do të diskutohet për çështje ekonomike.

Por, sipas Arbër Fetahut nga GLSP-ja, në Shtëpinë e Bardhë mund të diskutohen e finalizohen edhe marrëveshjet e iniciuara më parë, si ajo për hekurudhat e fluturimet mes Prishtinës e Beogradit.

Detajet e takimit mes Kosovës dhe Serbisë nuk i kanë bërë të ditura as nga Zyra e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Robert O`Brien.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, zyrtarë të saj kanë thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës “besojnë se përparimi në çështjet ekonomike është thelbësor në avancimin e procesit të paqes”.

“Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, së bashku me ambasadorin Grenell do t`i presë në takim drejtuesit e Serbisë dhe të Kosovës më 2 shtator. Shtetet e Bashkuara presin rezultate nga këto diskutime të rëndësishme mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Hoti. Shtetet e Bashkuara besojnë se përparimi në çështjet ekonomike është thelbësor në avancimin e procesit të paqes” është thënë për KOHËN nga Zyra e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Robert O`Brien.

Takimi i planifikuar në fillim të muajit shtator vjen pas anulimit të atij të 27 qershorit.

Të ngjashme