Uka: Tubimi i nesërm s’është protestë, por festë për rritjen e jashtëzakonshme të VV-së

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 18:55 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Vetëvendosjes Fitim Uka ka thënë se tubimi i nesërm i ftuar nga partia e tij nuk është protestë. Ai ka thënë se ky tubim është një manifestim ku do të festohet, sipas tij, rritja e jashtëzakonshme e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ne kemi hyrë në Javën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje kemi filluar me disa aktivitete të cilat kishin për qëllim edhe shënimin e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit – ishte një debat për të treguar që Lëvizja Vetëvendosje nuk kontribuon vetëm brenda institucioneve, por ka edhe kontribut në aspektin shkencor. Sot kanë vazhduar aktivitetet e tjera, homazhe te varri i aktivistit Arbënor Dehari, ndërsa nesër do të kemi manifestim që shënon 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe me këtë rast do të festojmë edhe 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës”.

“Kemi bërë thirrje publike që qytetarët të vinë në këtë aktivitet, por përherë duke respektuar masat kundër Covid -19 – të pajisen me maska, ta ruajnë distancën dhe të kemi mundësi të kemi një manifestim të dinjitetshëm dhe përherë paqësor”.

“Është manifestim. Kemi arsye për të festuar, e para arsye kryesore besoj që është rritja e jashtëzakonshme e Lëvizjes Vetëvendosje e cila po dëshmohet në të gjitha anët edhe me forma të tjera alternative siç është nënshkrimi i peticionit ‘Duam zgjedhje’. Nuk është protestë, sepse kur kemi të bëjmë me protestë të Lëvizjes Vetëvendosje edhe mobilizimi është tjetër, por edhe numri i atyre që dalin në sheshin ‘Skënderbeu’ do të jetë minimumi dyfishi i asaj që do të shihni nesër”.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës është shprehur i bindur se një tubim i përmasave të tilla mund të organizohet edhe në kohë pandemie.

“Ne si Lëvizje Vetëvendosje e kemi dëshmuar që jemi të aftë që të organizojmë edhe protesta. Ne e kemi realizuar një test-protestë në të cilën kanë marrë pjesë mijëra qytetarë të cilët kanë respektuar masat e tilla. Besojmë fuqishëm që këtë do ta bëjnë edhe nesër”.

“Ne vet si deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti përherë në paraqitje publike dhe komunikim me qytetarët kemi respektuar masat, prandaj u themi të gjithë atyre që vinë nesër në tubim që vetëm të ndjekin shembullin tonë, sepse kjo është edhe në të mirën e shëndetit të përgjithshëm të popullatës”.

Të ngjashme