Ukë Selimaj: Në Pejë, drejtoritë më të suksesshme ishin të PDK-së

Pejë | 12 Tet 2017 | 21:29 | Nga

Ukë Selimaj ishte drejtori më i ri në moshë në Komunën e Pejës. Nuk i kishte as 30 vjet kur e mori detyrën. Por, kjo nuk ishte aspak pengesë që ai të bënte punë të suksesshme në krye të Drejtorisë për Punë Komunale dhe Shërbime Publike në Komunën e Pejës. Krahas kësaj, Selimaj ishte dhe kryesues i kolegjiumit të drejtorëve në Shërbimin Publik të Kosovës.

Tash Selimaj është në garë për t’u bërë asamblist në Komunën e Pejës, për të vazhduar kontributin e tij.

Për më shumë se tri vjet në krye të kësaj drejtorie, Selimaj tregon se realizoi shumë projekte e investime të infrastrukturës, në fshat e në qytet. U angazhua edhe për infrastrukturën në zonat malore të Pejës, ku realizoi projektet e ujësjellësit dhe kanalizime që lidhin zonat e Pejës. Thotë se u asfaltuan shumë rrugë në Lugun e Baranit, Lugun e Leshanit, Lugun e Tërstenikut, Podgurit, në qytet, në Rugovë, në Sejnovë e Lipë. U ndriçuan lagje të shumta sikurse “Xhemajl Kada’, Fidanishtja, Dardania etj.

Selimaj është i njohur si zyrtar komunal që ka qenë gjithmonë pranë qytetarëve dhe kërkesat e tyre i ka marrë me seriozitet, duke garantuar që ato të realizohen

Arriti të krijojë partneritet me organizata të huaja, sikurse me GIZ-in, përmes të cilës arriti të fitojë makineri për bartjen e mbeturinave dhe programe tjera në këtë sferë. Përmes organizatës zvicerane “Helvetas Swiss Intercooperation” dhe programit DEMOS, realizoi shumë projekte për sheshe të qytetit, të fshatrave, ndriçimin e kubëzim, shtigje e gjelbërim.

“Nëse flitet për suksese të kësaj qeverisje, atëherë ato u takojnë drejtorive të udhëhequra nga PDK-ja. Infrastruktura, asfaltimi, ndriçimi, uji i pijes, kanalizimet dhe shërbimet e tjera janë kryer nga drejtoria e udhëhequr nga PDK-ja”, thotë Selimaj.

Sipas tij, edhe zhvillimi i turizmit në Pejë është para së gjithash rezultat i punës së drejtorive të udhëhequra nga PDK-ja.

“Nëse flitet për zhvillim të turizmit, atëherë ajo i takon Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, që e udhëheq PDK. I rregulluam shtigjet e ngjitjes, ‘Via Ferratan’, ‘Zip Line’, e rregulluam Çarshinë e Gjatë, restauruam Hambarin e Haxhi Zekës; përmes fondeve të huaja u rregullua Shpellën e Radacit etj.”, ka thënë Selimaj.

Në qeverinë e ardhshme, të cilën beson se do ta udhëheqë Sabiha Shala, Selimaj thotë se do të ketë rritje të cilësisë në udhëheqje. “E gjithë Komuna do të udhëhiqet sikurse katër drejtoritë e suksesshme që ishin në këtë mandat, të udhëhequra nga PDK-ja”.

“Secila drejtori do të kryejë detyrat e veta për të gjithë qytetarët pa dallim klasash shoqërore”, ka thënë Selimaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme